I riu shqiptar, i cili mëngjesin e të dielës vrau një grek në sy të motrës së tij në qendër të Athinës, ka rrëfyer ngjarjen për policinë greke. 27vjeçari ka deklaruar se nuk mban mend shumë detaje pasi ishte nën efektin e alkoolit.
“Nuk mbaj mend shumë gjëra, isha i dehur”, ka rrëfyer shqiptari, i cili pretendon se nuk e mban mend as viktimën. Gjithçka nisi të shtunën vonë, kur ai shkoi në qendër të kryeqytetit grek bashkë me motrën. Pasi doli nga një dyqan dhe bëri disa hapa, i riu sulmoi 43vjeçarin grek pasi po i shqetësonte të motrën.
Të dy nisën një përleshje fizike, e cila zgjati pak minuta pasi kalimtarët ndërhyrë duke i ndarë. Pas kësaj, 43vjeçari iu drejtua një taksie, për t’u larguar. Por, pak çaste më pas humbi vetëdijen dhe shoferi e dërgoi në spital. Ai mbërriti i pajetë në spital dhe sipas mjekëve rezulton se është goditur me send të mbrehtë në qafë.
Duke kërkuar falje, 27vjeçari pranon krimin dhe thotë se reagoi në atë mënyrë, i ndikuar nga alkooli dhe nga ngacmimi i motrës.
Policia, e cila e arrestoi pak pas ngjarjes, thotë se 27vjeçari ishte dukshëm në gjendje të dehur. Sipas policisë, 43vjeçari grek ka marrë disa goditje me çelës makinë në qafë duke i shkaktuar plagë serioze.