Porshe, Bentley dhe makina të tjera luksoze me targa ruse po mbushin garazhin e parkimit në aeroportin e Helsinkit, pasi Finlanda po bëhet një vend i rëndësishëm tranziti për turistët rusë që fluturojnë drejt Evropës.
Bashkimi Evropian mbylli hapësirën e vet ajrore për avionët rusë, pasi Moska pushtoi Ukrainën, duke detyruar këdo që dëshiron të udhëtojë në kontinentin e vjetër të kalojë me makinë përtej kufirit ose të marrë një rrugë qarkore duke përdorur linja ajrore jo-perëndimore.
Që nga skadimi i kufizimeve në Rusi për Covid-19, në korrik, ka pasur një bum të udhëtarëve rusë dhe një reagim në rritje në Evropë kundër lejimit të turistëve nag ky vend, ndërsa lufta vazhdon.
Një shëtitje e shpejtë nëpër parkingun e makinave në aeroportin e Helsinkit zbuloi dhjetëra, nëse jo qindra makina të nivelit të lartë me targa ruse, duke përfshirë një sedan të ri Mercedes-Benz të klasit S dhe Porsche 911 Turbo S.
“Më shqetëson, – tha udhëtari finlandez Jussi Hirvonen, pasi doli nga garazhi. – Do të doja që ata të mos ishin këtu përpara se të zgjidhej situata e Ukrainës”. Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto i tha AFP se kombi nordik është bërë një “vend tranzit” për turistët rusë: “Aeroporti i Helsinkit po sheh shumë turizëm rus për momentin”.
Finlanda tha javën e kaluar se do të kufizonte vizat turistike ruse në 10 për qind të vëllimeve aktuale që nga 1 shtatori për shkak të rritjes së pakënaqësisë mbi turizmin rus mes luftës në Ukrainë.
Sidoqoftë, rusët vazhdojnë të hyjnë në Finlandë me viza të lëshuara nga vende të tjera të BE-së në zonën e udhëtimit pa kufij Shengen për udhëtimet e tyre. “Ata vijnë këtu me viza Shengen të lëshuara nga vende të ndryshme dhe më pas vazhdojnë më tej përmes aeroportit të Helsinkit”, – tha Haavisto.
Sipas një sondazhi të kryer nga roja kufitare finlandeze në gusht, rreth dy të tretat e rusëve që kalojnë kufirin lindor të Finlandës e bëjnë këtë me një vizë Shengen të lëshuar nga një vend tjetër, përveç Finlandës.
“Hungaria, Spanja, Italia, Austria, Greqia dhe Spanja normalisht iu japin viza rusëve dhe në përgjithësi janë ndër vendet më të mëdha që lëshojnë çdo vit, – tha për AFP zyrtari i rojes kufitare Mert Sasioglu. – Rregullat e Shengenit nuk e lejojnë Finlandën të mbyllë kufirin për kombësi të veçanta. Sanksione të tilla mund të vendosen vetëm bashkërisht nga BE-ja.
Meqenëse Finlanda dhe vendet baltike po planifikojnë të kufizojnë këto viza, do të ishte mirë nëse të gjitha vendet e BE-së do të merrnin vendime të ngjashme”. Kjo ndjenjë u nda nga shumë finlandezë në aeroport. “Duhet të ketë një vendim të BE-së për mbylljen e kufirit”, – tha udhëtari finlandez Jussi Hirvonen.
Finlanda synon ta ngrejë këtë çështje në takimin e ardhshëm të ministrave të punëve të jashtme të BE-së, që do të mbahet në Republikën Çeke më 30 gusht. Për shumë udhëtarë rusë, ideja për të mos qenë në gjendje të udhëtojë në Evropë është pritur me zhgënjim.
“Të gjithë duhet të udhëtojnë, sepse kur sheh se si jetojnë vendet e tjera paqësore, atëherë bëhesh edhe më paqësor”, – tha Pavel Alekhin, një atlet profesionist rus 32-vjeçar në rrugën e tij për në një “festival biçikletash” në Bazel.
Udhëtari rus Vadim wan der Berg tha se situata është “shumë e vështirë” për rusët normalë, pasi tani nuk kanë mundësi të fluturojnë për punë ose studime: “Ne të gjithë presim që kjo të ndalet. Duam një situatë normale në të gjithë botën, në vendin tonë dhe Ukrainë gjithashtu”.
Komisioni Evropian pranoi javën e kaluar se diskutimet ishin duke u zhvilluar për të parë nëse mund të arrihet një “qasje e koordinuar” për vizat ruse. Vendet lindore të BE-së, Letonia, Lituania dhe Polonia ndaluan lëshimin e vizave të reja turistike për rusët, menjëherë pas fillimit të luftës.
Estonia ka shkuar një hap më tej dhe po shikon të ndalojë rusët që kanë viza të dorëzuara nga shtetet e tjera të BE-së. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka shprehur rezerva për kufizime të tilla. “Kjo nuk është lufta e popullit rus, është lufta e Putinit”, – vuri në dukje Scholz.
Ai tha se kufizimi i vizave turistike do të penalizonte gjithashtu “të gjithë njerëzit që ikin nga Rusia, sepse nuk janë dakord me regjimin rus”.
/a.r