Nga Mitro Çela
Tregimet e verës
Korrik 2016
“Laguna Blu”. Fshat turistik në Golem.
Po rrija poshtë çadrës.
Para meje kaloi një mesoburrë.
Në këmbë – atlete.
Pantallona të shkurtëra.
Mbi pantallona- një këmishë.
Pak mjekër.
Flokë të thinjura. Bënte xhiro.
500 metra. Varavingo…
Shkova për drekë. U riktheva.
Burri ecte.
Në darkë u largova nga plazhi.
Burri vazhdonte ecjen.
Të nesërmen burri u shfaq në horizont.
I dola përpara.
-Mund të të bëj një pyetje?…
Burri shtangu.
Në dorë mbante një misër të pjekur…
Nuk foli.
Hunguriu…
– Kam disa muaj, që nuk shkembej muhabet me njeri!…
-Nga je?…
-Nga Kukësi. Tani banoj në plazh…
-Si të quajnë?
-Agim Mazreku.
-Çfarë pune ke bërë?…
-Jam mësues fiskulture…
-Je marre me sport?
-10 vjet kampion në mundje klasike.
Për të mbajtur ndezur muhabetin i thashë:
-Kam pak bark. Ka derman për ta ulur?
-Format e trupit janë në funksion të ushqimit dhe lëvizjeve.
Kush prish këtë raport, deformon trupin.
Iku.
Një ditë më vonë. I preva rrugën.
Mu duke sikur edhe ai më kërkonte.
-Nga Kukësi kam dy miq të mirë.
Bastri Rukën, ish-pronarin e “Benz” dhe vëllain e tij Hysen Ruka. I njeh?
-Bastriu është zotni. Në vitet ’90-të, Kukësi u prish.
Pllakosi varfëria.
Pa drita.
Pa ujë.
Pa shtëpi.
-Jam beqar. -I thashë Bastriut:- Më merr në Tiranë?
-Po më tha. Kur të duash të pres në zyrë.
-Pse nuk erdhe në Tiranë. Do ishim takuar. Unë punoja si këshilltar i Bastriut.
-Pas disa kohëve gjërat ndryshuan.
U hapën shkollat dhe nisa punë.
-Pse e braktise Kukësin?
-Para tre viteve u ndërruan tre drejtorë arsimi.
Të pangopur.
Donin para.
Më lanë pa punë.
Pa para, shtëpia nisi të pikonte.
Një mik më ofroi një shtëpi në plazh.
Jam 60 vjeç.
Më duhen edhe 5 vjet të dal në pension.
-Çfarë bën në plazh?
-Nga ora 13 deri në orën 23 bëj ecje në bregdet.
Blej një misër. Racioni i drekës dhe i darkës.
I lodhur, më zë gjumi.
Zgjohem çdo ditë në orën 11.
Biznesmeni Shefqet Kastrati, si kuksian më jep çdo ditë kafe.
Me disa biskota dhe një copë shalqi, ruaj raportet mes ushqimit dhe lëvizjes…
-Ke telefon?
-068 241 7160
Korrik 2019
Përsëri në plazh.
Në horizont u shfaq miku im.
Përsëri ecte.
U ulëm për kafe. Ishte kërrusur, fishkur…
– Pse nuk e hap telefonin?
Ngriti supet…
– Çfarë bën?…
– Marr frymë duke ecur…
– Të ka kërkuar njeri për punë?
Zgurdulloi sytë…
– Kush? Jam i vdekur ende i pakallur në dhe…
Sa do zgjasë? Çështje ditësh?…
Muajsh?
Nuk e di…
Unë lutem të vdes çdo mesnatë…
-Zotni! Ti punon tek Fiks Fare. Më gjën dot një punë?
U ktheva në Tiranë.
Së pari.
Në ministrinë e Arsimit takova drejtorin e sporteve.
-Ma sill në zyrë. E njoh. Kampion në mundje. Absolut.
I rashë telefonit të Agimit. Nuk mu përgjigj.
Së dyti.
Fola me Fonin. Po të ra rruga nga plazhi, kërko Agim Mazrekun.
Nuk e gjeti.
Dy vjet korona na “ndau” nga plazhi.
Këtë vit shkova në plazh.
Dy-tre ditë i zura pritë mikut tim.
Nuk e pashë.
Fola me Hysen Rukën.
Më tha: jeton në Kukës.
I braktisur?!
Zvarritet rrugëve.