Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse i cili së bashku me dy shtetas te tjerë që u arrestuan nën dyshime për spiunazh dy ditë më parë janë duke qëndruar në dhomat e paraburgimit të drejtorisë së policisë në Elbasan.
ABC mëson detaje të reja në lidhje me Mikhail Zorin, 23-vjecarin që forcat e policisë në Gramsh mundën ta arrestojnë në përpjekje për t’u larguar. 23 vjeçari ka qenë i gjakosur pasi në përpjekje për të humbur gjurmët ka rënë në një zonë me shkurre çka i ka shkaktuar dëmtime të lehta në pjesë të ndryshme të trupit.
Gjithashtu ABC mëson nga burime brenda grupit hetimor se 23-vjeçari është shumë i prerë në bisedat e kryera me anëtarët e grupit hetimor. Ai cilësohet si shumë inteligjent dhe këmbëngul se është turist.
Të njëjtat burime i thanë ABC se 23-vjeçari është i arsimuar dhe ka ka kryer studimet e larta për kimi. Gjithashtu burime nga drejtoria e policisë Elbasan pohuan se 23 vjeçari kishte ditë i pa ngrënë dhe u ka kërkuar ushqim punonjësve të policisë.
Çfarë ndodhi në Gramsh?
2 shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen dje e shtunë ( 20 gusht) në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh.
33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe Fiodor Mihailovic me pasaportë ukrainase u arrestuan nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
Në momentin që njëri prej tyre tentoi të futej në godinën ushtarake dhe ta fotografojë atë ka ndodhur dhe një përplasje me rojet ushtarake.
Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar ushtarakët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt mund të jenë agjentë. Prokuroria ka ngritur ndaj tyre akuzat për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.
Megjithatë ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura.
g.kosovari