Kosova vazhdon të importon gati të gjitha produktet, duke filluar nga ato të konsumit, deri te produktet strategjike. Importi i madh i mallrave ka vendosur Kosovën në një pozitë jo të mirë ekonomike dhe me një deficit të lartë tregtar, kur kihet parasysh niveli i ulët i eksporteve të Kosovës. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci,në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka treguar për nivelin e lartë të importeve që ka Kosova.
“Struktura e importit në Kosovë ka një llojshmëri të madhe duke filluar nga produktet e konsumit deri tek ato strategjike. Por, kryesisht në aspektin e të hyrave dhe vlerës prijnë këto produkte: nafta dhe derivatet e saj, duhani, automjetet, industria e ushqimit dhe tekstilit, e të tjera”, thotë Stavileci. Ai tregon, se sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, në vitin 2015 ka pasur një import të mallrave prej afër 2.5 miliardë euro.