Nga Mero Baze
Ka të paktën tri përbetime agresive të Sali Berishës prej protestës së 7 korrikut, që në një shoqëri normale do ngjallnin debat.
E para, është që kryeministrin e vendit e shpall “armik” dhe premton se do ta trajtojë si armik. D.m.th., ose do ta vrasë, ose do ta përmbysë me dhunë.
E dyta, është përbetimi që nuk do kërkojë kurrë ndihmën e SHBA dhe mburrja që ka paditur sekretarin Blinken, edhe pse nuk ka ende as përgjigje postare nëse ka shkuar letra e padisë në gjykatë.
E treat, ka të bëjë me mos-njohjen e zgjedhjeve që do të humbasë, duke deklaruar se nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet e humbura, duke i nënkuptuar të vjedhura.
Të tri deklaratat, në fakt janë shumë të rënda për një shoqëri normale, dhe kudo do të ngjallnin debat. Por ato jo vetëm që nuk ngjallin debat, por përkundrazi po shoqërohen nga një heshtje injoruese edhe nga vet aktorët që duhet t’i përgjigjeshin.
Arsyeja është se ato nuk janë betime, por alibi. Të tri deklaratat, janë thjeshtë një alibi e Sali Berishës për të ardhmen e tij.
Ajo e para, e konsiderimit të Edi Ramës si armik, është thjeshtë një mënyrë për të zbutur fyerjen që i ka bërë kryeministri, duke e injoruar si person “non grata”, me të cilin nuk dëshiron të komunikojë.
Duke e injoruar dhe duke mos i kthyer përgjigje për shkak të damkës zyrtare që ka në kurriz dhe fytyrë, familjarisht, si hajdut dhe minues i demokracisë, ai në fakt e ka zhvlerësuar protagonizmin e tij si lider i diskutueshëm opozite.
Përpjekja e Berishës për ta shpallur “armik” është një mënyrë për të justifikuar injorimin që atij po i bëhet nga kryeministri, duke mos i kthyer përgjigje për asgjë.
E njëjta gjë ndodh dhe me deklaratën e tij të rëndë, që nuk do t’i kërkojë ndihmë SHBA-së. SHBA është aleati kryesor startegjik i kombit shqiptar dhe Sali Berisha me këtë deklaratë bëhet udhëheqësi i parë zyrtar i një formacioni politik, që deklaron armiqësinë me SHBA në plan institucional. Në çdo rrethanë tjetër do të ishte një gjë e rëndë, që duhej të debatohej publikisht.
Vetë SHBA, që shqetësohet dhe për detajet më të imta të anti-amerikanizmit në Shqipëri, e ka injoruar përbetimin e Sali Berishës, pasi po ashtu është një alibi për të justifikuar izolimin e SHBA. E ka bërë dhe më parë atë.
Të gjithë i mbajmë mend deklaratat e tij se nuk do shkojë në SHBA pa i kërkuar falje Blinkeni (se si do shkojë një “non grata” në SHBA, një zot e di) apo nuk e takon ambasadoren Yuri Kim, po nuk u distancua nga Rama. A thua se ajo po i lutet për takim.
Në këtë kuptim, dhe deklarata e tij se nuk i kërkon ndihmë SHBA, është vazhdim i këtyre deklaratave, pasi e di që të vetmen ndihmë që SHBA ka për Shqipërinë, është futja e tij në listën e zezë familjarisht, si të korruptuar dhe minues të demokracisë.
Përbetimi i tij i tretë, ai i mos njohjes së zgjedhjeve duke i cilësuar të lira vetëm zgjedhjet që fiton ai, është alibia e humbjes pas një viti. Muajt shkojnë shpejt dhe do të vijnë zgjedhjet, e Sali Berisha do t’i humbasë ato.
E dimë që nuk do t’i njohë, e dimë që do t’i shpallë të vjedhura, e dimë që dhe nuk do të ikë. Thjesht po merr masa një vit para, si të justifikojë humbjen që vjen nga fakti se PD nuk i duhet për të fituar, por për t’u mbrojtur.
Deklaratat e tij të egra, që do kishin shqetësuar çdo shoqëri normale, po injorohen thjesht se ai po përsërit veten për herë të tretë në këto tredhjetë vjet, me të njëjtin stil.
Herën e parë e përdori pushtetin për të sunduar vetë si diktator, derisa e përmbysën duke djegur Shqipërinë, herën e dytë e përdori pushtetin për të bërë milionerë, djalin, vajzën dhe gruan, herën e tretë, sipas rregullit i bie ta ketë për të pasuruar mbesat dhe stërmbesat, duke siguruar të mos i preken ato që ka vjedhur deri më sot.
Por nuk do t’ia dalë dot. Ndaj po ulëret nga frika, e cila sa vjen i shtohet, vetëm se nuk po i përgjigjet njeri.