Nga dita e sotme, 1 korrik, Republika Çeke mori presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian. Çekia do të kryesojë këshillin për 6 muajt e ardhshëm, ndërsa pasoi Francën. Sakaq, Çekia do të pasohet nga Suedia në janar 2023. Së bashku ata formojnë treshen aktuale të presidencës, e cila përcakton synimet afatgjata dhe një program të përbashkët për një periudhë 18-mujore, por secili vend ka gjithashtu prioritetet e veta .
Republika Çeke planifikon të fokusohet në pesë fusha të lidhura ngushtë:
Menaxhimi i krizës së refugjatëve dhe rimëkëmbja e Ukrainës pas luftës
Siguria energjetike
Forcimi i aftësive mbrojtëse të Evropës dhe sigurisë së hapësirës kibernetike
Rezistenca strategjike e ekonomisë evropiane
Rezistenca e institucioneve demokratike
Kryeministri çek Petr Fiala diskutoi programin e presidencës me Presidenten e Parlamentit Europian Roberta Metsola dhe krerët e grupeve politike në 16 qershor.
Rep raporton se sipas burimeve diplomatike, nivelet më të larta po punojnë që konferenca e parë ndërqeveritare, me të cilën do të hapeshin simbolikisht negociatat e anëtarësimit për Shkupin dhe Tiranën, të ndodhë para pushimeve të verës – pra, në muajin e parë të kryesimit çek.
Sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën, Çekia, sipas burimeve diplomatike, është e gatshme që këtë vendim ta vendosë në rend të ditës, sapo të vërtetohet se ka gatishmëri nga vendet anëtare për heqjen e vizave.
g.kosovari