Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevsku, deklaron se propozimi francez që do të zhbllokojë ngërçin me Bullgarinë dhde t’i hapë rrugën evropiane vendit bashkë me Shqipërinë, do të publikohet sot në ueb faqen zyrtare të Qeverisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Kovaçevsku shkruan se sot do të ketë një takimi me koalicionin qeveritar për të diskutuar mbi propozimin francez.
“Siç premtuam, ne po hapim një proces konsultimi të gjerë. Sot në orën 11:00 Qeveria do të mbajë mbledhjen me liderët e partive të koalicionit qeveritar për të shqyrtuar propozimin e presidencës franceze.
Menjëherë pas mbledhjes propozimin do ta publikojmë në formë integrale në faqen zyrtare të Qeverisë.
Gjatë ditës, krahas takimit me koalicionin, do të zhvillohen edhe një sërë konsultimesh dhe bisedash me publikun, ekspertë dhe me median.
Siç e kam paralajmëruar edhe dje, i gjithë procesi do të zhvillohet në mënyrë transparente dhe publiku do të informohet në detaje për të gjithë hapat e ardhshëm.
Kërkoj nga të gjithë aktorët relevantë në shoqëri, që spekulimet për çështje të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare nuk favorizojnë askënd.
Sot e tutje u bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe mediave që të mbështeten në informacionin zyrtar të institucioneve.
Kërkoj konstruktivitet dhe mbështetje nga të gjitha palët e interesuara për të marrë një vendim të mençur në interes të të gjithë qytetarëve”, shprehet ai.
Çfarë ndodhi dje
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili drejtoi këto 6 muaj Presidencën e Bashkimit Europian dhe u angazhua personalisht për gjetjen e një zgjidhjeje edhe gjatë samitit të NATO-s në Madrid tha gjatë një konference shtypi në Madrid
“Jam i bindur se kemi arritur një zgjidhje kompromisi”.
Gjatë samitit të NATO-s, pati bisedime intensive për tejkalimin e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, shkroi më pas në “Twitter” se mirëpriste “zgjidhjen franceze për një marrëveshje që do të shtronte rrugën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Zgjidhja u jep përgjigje shqetësimeve të ngritura. Jemi më afër se kurrë. Tani është momenti të thuhet Po”, shkroi ai me një referencë të qartë ndaj Shkupit.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në një deklaratë të saj u shpreh se ka marrë një propozim nga Presidenca franceze me ide që u referohen qëndrimeve të shprehura publikisht prej saj”, duke shtuar se “kjo është baza për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht në Qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas me Presidentin, Parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.
Nëse gjithçka përmbyllet në kohë, gjasat janë që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të zhvillohen që javën e ardhshme.
/e.d