Gjykata e Kukësit ka liruar ditën e sotme nga burgu Birmi Durakun, i arrestuar në dhjetor të vitit 2019.
Duraku akuzohet për vrasjen Artemisa Vasilopou në maj të vitit 2010, së bashku me një person tjetër, teksa po përpiqeshin t’i vidhnin shtëpinë.
Ngjarja sipas autoriteteve vendase ndodhi në vendin e quajtur Argostoli të Kefalinias të Greqisë, ku Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D., të maskuar janë futur në banesën private të shtetases greke. Pasi kanë tentuar pa sukses të shpërthenin me një mjet të mprehtë derën midis kuzhinës dhe sallonit, e cila ka qenë e kyçur, e kanë thyer derën dhe janë futur brenda.
Aty kanë gjetur gruan, të cilës i kanë lidhur duart dhe këmbët me një shirit ngjitës. Më pas kanë grisur me thikën një copë xhakete dhe e kanë mbështjellë me shiritin ngjitës duke i zënë frymën e më pas i kanë vënë në kokë një qese plastike dhe si pasojë e asfiksisë ajo ka gjetur vdekjen.
Ata u larguan nga banesa e saj pasi i vodhën paratë, ndërsa arrestuan 9 vite më vonë.
Njoftimi i Gjykatës:
Në bazë të kërkesës të paraqitur nga mbrojtësi Av. Sokol Tahiraj i Burim Durakut, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës ka pranuar kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit për arsye humbje e fuqisë së paraburgimit për tejkalim të afateve maksimale hetimore nga koha e përcaktuar në bazë të nenit 261 / 1c / të Kodit të Procedurës Penale./m.j