Një 42-vjeçar turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar ditën e sotme në Pogradec.
Salih Akkurt, rezulton i dënuar me 21 vite burg për veprën penale “Mashtrimi i rëndë, duke përdorur sistemet informative të bankave dhe të kartave të kredit”. Pas arrestimit ai ishte arratisur nga vendi ku duhet të vuante dënimin, teksa i kishin mbetur ende dhe 10 vitë burg.
Ndërkohë, ai mashtronte qytetarët përmes ushtrimit të profesionit të fizioterapistit në qytetin e Pogradecit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pojska”. Operacioni, nga Fast Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe me Interpol Tiranën.
Kapet dhe vihet në pranga në Pogradec, një shtetas turk, i shumëkërkuar nga drejtësia turke, i dënuar me 21 vite burgim dhe i larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit. Këtij shtetasi i kanë mbetur për të kryer edhe 10 vite burgim.
42-vjeçari, nga Konya e Turqisë, i dënuar për veprën penale “Mashtrimi i rëndë, duke përdorur sistemet informative të bankave dhe të kartave të kredit”, dhe së fundi i shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, fshihej në Pogradec. Për t’u maskuar, ky shtetas mashtronte qytetarët përmes ushtrimit të profesionit të fizioterapistit.
Shërbimet e Fast Albania, pas marrjes së informacionit se një shtetas, i shumëkërkuar nga Turqia fshihej në Pogradec, organizuan punën dhe pas disa ditë mbajtjeje nën kontroll, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Interpol Tiranën, finalizuan operacionin policor të koduar “Pojska”.
Si rezultat i këtij operacioni, në shëtitoren “10 Dëshmorët e Pojskës”, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimi, shtetasi turk:
-Salih Akkurt, 42 vjeç, banues në Konya, Turqi.
Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Zyra Qëndrore Kombëtare e Interpol Tiranës është njoftuar nga Interpol Ankara, Turqi, se për këtë shtetas, më datë 05.05.2022, është lëshuar urdhër arresti nga Prokuroria e Izmirit, Turqi, në zbatim të vendimit nr. 2020/8992, të datës 30.12.2020, në bazë të të cilit, 42 vjeçari është dënuar me 21 vite, 10 muaj e 15 ditë burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 vite e 1 ditë burgim, për veprat penale “Mashtrimi i rëndë duke përdorur sistemet informative, të bankave dhe kartave te kredit” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, të parashikuara nga legjislacioni turk.
Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan çeqe në shuma të mëdha monetare.
Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Ankara, Turqi, dhe agjencitë ligjzbatuese vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Turqisë.
/e.d