Kreu i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame ka folur për korrupsionin në institucionin që ai drejton dhe ka pranuar se ende vijon të mbetet problem dhënia e ryshfetit apo siç quhet ndryshe në gjuhën popullore “kafe 20, 30 apo 50 mijë lekë” për të marrë shërbimet.
“Mbetet ende problem ai korrupsioni i vogël endemik, me 20, 30 apo 50 mijë lekë. Kjo zhduket nga shërbimet online. Në Kadastër kanë kërkuar rritje rroge, kjo shenja më e sigurtë e uljes së korrupsionit. Nëse për doganierët dikur thuhej “ou pse ka dhe rrogë”, fakti që po bëjnë presion për rritjen e rrogës tregon se është ulur shumë indeksi i korrupsionit”, tha Lame.
Ndërkohë, për një tjetër formë të korrupsionit që ka ekzistuar Lame tha se është ajo e grisjes së fletëve të regjistrit dhe marrjen e pronës përmes ryshfetit me metodën “merrja Lenës jepja Prenës”.
Por për këtë formë korrupsioni kreu i Kadastrës u shpreh 99.9% i bindur se nuk ndodh më, por nuk dha 100% garanci sepse sipas tij “të çmendur do ketë gjithmonë”.
“Dy janë format e korrupsionit në Kadastër, madje njëra ka qenë nuk është më. Njëra është korrupsioni i vogël endemik na 30 mijë, bjer 50 mijë që ta bëj. E tjetri korrupsioni i madh që merrja Lenës e jepja Prenës. Merrja pronën, ndrysho gris regjistrin.
Ky është korrupsioni që e ka shkatërruar në themel sistemin, ndryshimi në themel i pronësive. Kjo në 99.9 të rasteve e them me përgjegjësi të plotë nuk ndodh më. Ngaqë si arsye është digjitalizimi dhe skemimi i qartë i punës në sistem”.