Prokurori i njohur i Catnazaros në Itali Nicola Gratteri duke folur në komisioni Parlamentar të Antimafias së bashku me një delegacion holandez ka deklaruar se Holanda është bërë një port i hapur për mafian afrikane, italiane dhe atë shqiptare.
Gratteri informoi holandezët se portet e vendit të tyre “janë vendet e preferuara të krimit të organizuar. Tani për tani Holanda është një port i hapur për mafiozët”.
Nga ana tjetër, Holanda mund të ndikojë në luftën kundër mafies falë pushtetit politik që ka në Evropë dhe “kjo do të thotë se nëse Holanda do të donte të ndikonte në luftën kundër mafies, sigurisht që do të ishte e suksesshme. Holanda bën biznes dhe e ka treguar, se ata dinë ta bëjnë këtë punë. Ju duhet të njihni në sistemin tuaj ligjor krimin e llojit mafioz duke miratuar ligjin italian kundër drogës, që është një ligj i bërë shumë mirë: DPR 309/90, ku dënimi varion nga 20 deri në 30 vjet dhe për rrjedhojë do të bëhej joekonomik për të tregtuar drogë në Holandë”.
Prokurori i Catanazaros ka deklaruar gjithashtu se Holanda është vendi i cili dominohet nga mafia që vjen nga Afrika e Veriut, Italia dhe Shqipëria.
“Tek ju kanë vrarë një avokat, një gazetar dhe një bashkëpunëtor të drejtësisë. Keni tre mafie: Afrikano-veriore, Italiane dhe atë Shqiptare; pra ose përgatituni ose do jeni nën pushtetin e tyre. Për mafiozët nuk ka kufij, ndaj monedha e vetme më shumë se sa të lehtësojë evropianët, ka ndihmuar mafien”, është shprehur Gratteri, transmetojnë mediat italiane.
Megjithatë, ai shton se problemi nuk është vetëm holandez pasi në Evropë ka shumë hapësira që iu japin dorë mafiozëve.
“Evropa është e fiksuar pas privatësisë – shpjegoi prokurori -, në emër të privatësisë është e pamundur të hetohet mafia në Evropë. Imagjinoni që në Gjermani nuk është e mundur të vendosni një çimkë në dhomën e gjumit; prandaj mjafton të shkosh në dhomën e gjumit dhe të organizosh trafik ndërkombëtar droge. Ne jetojmë në një sistem vetë-drejtues. Ne duam luftën kundër mafies dhe nuk dimë të heqim dorë nga asgjë. Në Gjermani me 2 kilogramë kokainë rri 2 vjet në burg, pastaj është e leverdishme të tregtosh kokainë sepse e di që do të dënohesh pak. Muri mes nesh europianëve është kultura, e cila ka dallime të frikshme, mes Gjermanisë, Holandës dhe Belgjikës kemi tre sisteme të ndryshme drejtësie dhe prandaj duhet të nxitojmë të kemi ekipe të përbashkëta hetimore. Nuk ka legjislacion kundër pastrimit të parave në Evropë. Është koha, pra, të diskutohet një luftë serioze kundër mafies“, tha prokurori Gratteri.
Ndërkaq dy ditë më parë, një rrjet i trafikut të drogës që drejtohej nga dy shqiptarë dhe kishte destinacion Holandën është shkatërruar nga policia peruane.
Gjatë operacionit u sekuestruan 2.2 ton kokainë që dërgohej në rrugë detare në Holandë e fshehur në kanaçe asparagus. Në pranga janë vënë shtatë shtetas peruanë ndërkohë që janë shpallur në kërkim dy shqiptarët që drejtonin trafikun e drogës.
“Ne kemi sekuestruar 2 ton kokainë që ishte nisur drejt Holandës” tha në një deklaratë kreu i Drejtorisë së Anti Drogës në Peru nga porti i Callao. Ai theksoi se shqiptarët ndodheshin në krye të grupit që trafikonin lëndën narkotike që kishte për destinacion portin e Roterdamit në Holandë.
“Kjo është një organizatë kriminale me lidhje në Kolumbi, Ekuador dhe Shqipëri. Ne po koordinohemi me autoritetet ndërkombëtare për të zbuluar vendndodhjen e dy shqiptarëve që kanë mbërritur në vendin tonë në koordinim me mafien shqiptare” u shpreh ai./m.j