Vrasësi i Aleksandër Sadikajt dyshohet se fshihet në rrethin e të njohurve të tij. Në këtë konkluzion ka mbërritur policia e Tiranës nga analizimi i rrethanave të ngjarjes dhe dëshmive të grumbulluara.
Nga pyetja e familjarëve dhe miqve të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, Policia e Tiranës ka mundur të ndërtojë një hartë të lëvizjeve të viktimës ditët e fundit.
Rezulton se në datën 8 dhe 9 ai ka qenë në Memaliaj tek biznesi i tij dhe më pas mbrëmjen e datës 9 qershor deri ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë. Referuar kamerave të sigurisë rezulton se në orën 13:20 ai ka dalë nga banesa në Sauk të vjetër dhe vetëm 5 minuta më vonë në mjetin e tij është aktivizuar lënda plasëse që i solli vdekjen.
Ekspertët dyshojnë se lënda plasëse, rreth 500 gr., është vendosur poshtë sendiles së shoferit. Policia ka sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në Memaliaj, Sauk të vjetër e zonës së Komunës së Parisit ku mjeti ka qenë i parkuar së fundmi për të zbuluar autorët.
Nga të dhëna operative policia ka mësuar se ditën e ngjarjes dy persona kanë qëndruar disa orë në mbikalimin e Saukut dhe dyshohet se kanë qenë ata që kanë aktivizuar eksplozivin në distancë.
Deri tani pista më e fortë hetimore është ajo e konflikteve për shkak të trafikut të drogës ku dyshohet se viktima ka prishur një marrëveshje, informon Top Channel.
Policia ka ushtruar kontroll në banesën e marrë me qera në zonën e Saukut të vjetër ku ka sekuestruar një jelek antiplumb dhe disa plumba pistolete.
Kujtojmë që në mjetin i cili shpërtheu me eksploziv policia sekuestroi një pistoletë që dyshohet se i përket viktimës.
Vrasja e Aleksandër Sadikajt është e 17-ta e ndodhur në Shqipëri gjatë këtij viti. Katër nga vrasjet janë shënuar në Tiranë ku tre janë ende pa autor./m.j