73% e shqiptarëve votojnë gjithmonë të njëjtën parti. Më pak se një në katër shqiptarë zgjedhin parti të ndryshme në votime për pushtetin qendror apo atë bashkiak.
Tre në pesë shqiptarë (60%) mendojnë se Partinë Socialiste e votojnë qytetarët me të ardhurat më të ulëta.
Barometri në Euronews Albania i pyeti qytetarët shqiptarë lidhur me qëndrimet ideologjike të partive kryesore në vend, si dhe mbi mënyrën si ata votojnë.
Rezultatet tregojnë se më shumë se gjysma e shqiptarëve (52.5%) besojnë se pavarësisht problemeve që mund të ketë qeverisja e socialistëve apo demokratëve, votuesit e tyre përsëri do ua japin votën.
Dallimin mes të majtës dhe të djathtës në Shqipëri, 45% e shqiptarëve e shohin si pjesë të historisë, që lidhet me të shkuarën komuniste.
Gjetjet janë të anketës së Barometrit në Euronews Albania, kryer nga MRB dhe DataCentrum në nivel kombëtar me 1000 intervista ballë për ballë në familje mes datave 25 prill – 7 maj.
g.kosovari