Arben Domi është mjek shqiptar. Ai jeton dhe punon prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një lidhje me “Skype”, ai foli në Debat me Alba Alishanin në A2 CNN, ku dha një ide të tijën për taksimin nga Shqipëria të të gjithë emigrantëve të saj në botë.
“Ka një numër të madh shqiptarësh që jetojnë jashtë dhe gjithnjë e më shumë po largohen. Kjo do të bëjë që shumë shpejt, Shqipëria të jetë një vend i plakur, pa perspektivë, pa prosperitet. Në këto kushte, i bëj thirrje klasës politike për një bashkëbisedim qytetar, në fund duhet të kalojë nëpërmjet një referendumi. Të mendohet dhe diskutohet taksimi i çdo shtetasi shqiptar kudo në botë. Kjo ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për kombin shqiptar në tërësi. Kemi një histori të vuajtur, por të mendojmë për të ardhmen”, tha ai.
Por si e sheh mjeku realizimin e kësaj ideje? “Mendimi im është që nuk mund të taksohet dikush që taksohet në vendin ku ka vendosur të jetojë njësoj me taksimin në Shqipëri. Këtu ju sjell një shembull. Një shtetas amerikan që jeton në Shqipëri dhe në Shqipëri është i detyruar të paguajë taksat shqiptare. Ai paguan 5 mijë lekë taksa në Shqipëri, në Amerikë ai duhet të paguajë 15. Amerika i njeh taksat që paguan në Shqipëri. Në një rast të tillë duhet të bëhen akordime ndërmjet shteteve që kjo përqindje që tatohen shtetasin shqiptar të hiqet në shtetin ku ai jeton”, tha mjeku shqiptar që jeton në SHBA.
g.kosovari