Presidenti Ilir Meta në një fjalim lamtumire vlerësoi figurën e ish-kryetarit të shtetit, Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.
Meta tha se Nishani do të mbahet mend për qetësinë dhe forcën e argumentit. Sipas tij, Nishani si kryetar shteti punoi me përkushtim të rrallë, ndërsa një dashuri të veçantë kishte për Kosovën.
“E shihte politikën si art dhe besonte se ishte instrumenti më efektiv për të sjellë ndryshime. Besonte te demokracia dhe shteti ligjor. Presidentit Nishani i peshonte fjala. I njohur për maturinë, çmohej për thjeshtësinë. Tipare që i mbetën të pandryshueshme gjatë gjithë jetës. Do të mbahet mend për qetësinë dhe forcën e argumentit.
Si kryetar i shtetit punoi me përkushtim të rrallë. Iu përkushtua interesit të Shqipërisë. Bujar Nishani besoi deri në fund te demokracia. Ushqente një dashuri të veçantë për Kosovën dhe mbështeti fort njohjen ndërkombëtare. Pati një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë faktorin ndërkombëtar dhe në rajon”, tha Meta ndër të tjera.
g.kosovari