Nga Ruben Avxhiu
Këtë vit Shqipëria filloi mandatin e saj të parë në histori si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sot në 1 qershor, sipas rotacionit, asaj i takon të drejtojë Këshillin e Sigurimit për një muaj.
Kjo renditje përdoret edhe për të përcaktuar afër kujt ulesh. Si mund ta keni parë Ambasadori Ferit Hoxha është gjithmonë ndërmjet Ambasadores Amerikane dhe atij të Brazilit.
“Tavolina” e Këshillit ka formën e një patkoi, ku në mes ulet Presidenca e radhës. Pastaj zhvendosen çdo muaj.
Ndonëse një vend i vogël, Shqipëria ka folur me zë të fortë në këto në muaj të para të anëtarësisë në sajë të punës shumë të mirë të Ambasadorit Hoxha dhe ekipit të tij. Shumë nga fjalimet e Ambasadorit janë cituar në shkrime e raporte të medias në disa gjuhë të botës. Këtu ka ndihmuar edhe lufta në Ukrainë që ka vendosur, të paktën në javët e para, më shumë në qendër të vëmendjes Këshillin e Sigurimit.
Rusia e izoluar nuk ka shumë forume në të cilat të transmetojë propagandën e saj zyrtarisht e të përballet me vendet e tjera në botë. OKB-ja dhe Këshilli i Sigurimit janë një nga të paktat.
Ndonëse shumica e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit e kanë dënuar pushtimin e Ukrainës: Disa votime kanë dalë 13-1, me të gjitha vendet kundër Rusisë, përveç Kinës abstenuese, pak prej tyre janë cituar aq shumë sa Shqipëria, në sajë të fjalimeve të pasura nga pikëpamja gjuhësore e stili të Ambasadorit Hoxha.
Me këtë rast si kryeministri Edi Rama ashtu edhe ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, kanë udhëtuar në New York.
Ata u takuan dje me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, António Guterres ku “diskutuan për programin e përparësitë e presidencës shqiptare në Këshillin e Sigurimit” dhe “gatishmërinë për të ofruar kontributin e saj në shërbim të paqes dhe sigurisë, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm ndërkombëtar”, sipad njoftimit të qeverisë.
Në një fotografi të postuar në Twittër nga ministrja Xhaçka, të dy shihen në takim me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield. Sipas ministres Xhaçka, ambasadorja amerikane ka shprehur “vlerësimet e saj më të larta për punën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit”. Sigurisht merita kryesore i shkon Ambasadorit Hoxha, i cili ndodhej gjithashtu në takim.
Nuk është çudi nëse e shohim Edi Ramën të ulet për të drejtuar Këshillin e Sigurimit, apo ministren Xhaçka.
Teknikisht, presidencën e ka shteti dhe jo Ambasadori përfaqësues. Të them të drejtën kryeministrat dhe presidentët nuk para udhëtojnë për të drejtuar sesionet e mërzitshme dhe nganjëherë me rregulla teknike të ndërlikuara të Këshillit të Sigurimit. Por, vështirë të imagjinosh kryeminsitrin e Shqipërisë që ta humbasë këtë rast.
Për ata që e mbajnë mend, kryeministri Rama mbajti një ministër të Jashtëm në detyrë, duke e marrë vetë drejtimin e OSBE-së në gjashtëmujorin kur i erdhi radha Shqipërisë. Nuk po them se do të ngulet në New York për një muaj se puna në OKB duket interesante vetëm për ata që e shohin nga jashtë. Por nuk shoh ndonjë arsye tjetër për udhëtimin e tij në New York, pikërisht këto ditë.
Për ta justifikuar, Zv-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Al Gore, drejtoi Këshillin e Sigurimit për disa ditë në vitin 2000, kur SHBA mori presidencën e radhës. Sigurisht, zv-Presidenti amerikan ka një post me angazhime të pakta dhe Gore donte të kishte sa më shumë vëmendje për shkak të zgjedhjeve presidenciale të atij viti. (Në fund humbi përballë kandidatit republikan George W Bush.)
Presidenca të them të drejtën më shumë sjell punë e përgjegjësi sesa përfitime, por vjen me peshë politike, sidomos në raste krizash e kur ka debate për konflikte ekzistuese.
Kjo për arsye se Presidenca ka të drejtën të aprovojë agjendën e mbledhjeve, kjo ka sidomos rëndësi në raste mbledhjesh urgjente. Megjithatë, presidenca zakonisht vendos me kompromis dhe bashkëpunim me anëtarët e tjerë.
Presidenti i radhës është gjithashtu përgjegjës dhe mund të lexojë deklaratat e Këshillit të Sigurimit në publik, për median. “Fytyra dhe zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit”, sipas librit “Procedurat e Këshillit të Sigurimit të OKB” (https://oxford.universitypressscholarship.com/vieë/10.1093/acprof:osobl/9780199685295.001.0001/acprof-9780199685295)
Presidenti ndërmjetëson mes anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, vendos radhën e votimit, cakton temat që diskutohen etj.
Një kuriozitet që e lexova në Wikipedia, Burkina Faso e ndryshoi emrin e saj në Upper Volta në 1984, kur ishte anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe duke dalë në fund të renditjes alfabetike, i ra përsëri që të drejtonte Këshillin e Sigurimit.
Mirëpo, pasi kam lexuar të mirat e përgjegjësitë e Presidencës, nuk më duket se ia vlen barra qeranë. Duke qenë se janë vetëm 15 vende anëtare dhe Shqipërisë i kanë mbetur edhe 18 muaj në mandatin e anëtarësisë, kjo mundësi do t’i vijë përsëri në fillim të vjeshtës së 2023.