Tre persona janë burgosur në Hong Kong për vjedhjen e disa veprave të artit me vlerë miliona dollarë, përfshirë një kaligrafi të shkruar nga ish-lideri komunist kinez Mao Ce Dun.
Hajdutët nuk ishin në dijeni të vlerës së saj dhe ia shitën një koleksionisti amator për 25 dollarë.
Vetë blerësi nuk e dinte vlerën e kaligrafisë dhe e preu atë përgjysmë që të mund të ruhej më lehtë.
Të pandehurit u dënuan secili me deri në 2.5 vite burg.
Kaligrafia e shkruar me dorë përmban detaje të një takimi të Partisë Komuniste Kineze dhe disa strofa të poezisë së Mao Ce Dun.
Pronari i saj ka pohuar se kaligrafia vlerësohet të ketë një vlerë rreth 300 milion dollarë.
Ajo u vodh gjatë një grabitje masive në shtator 2020, kur tre burra hynë në shtëpinë e Fu Chunxiao, një koleksionist i njohur i pullave dhe artit revolucionar.
Ata gjithashtu morën pulla antike, monedha bakri dhe pjesë të tjera të kaligrafisë nga Mao. Vlera në total e sendeve të grabitura arrinte vlerën e 645 milion dollarëve sipas Fu, i cili thuhet se ishte në Kinën kontinentale kur ndodhi vjedhja.
Pas apelit nga policia, blerësi dorëzoi të dy pjesë e kaligrafisë që preu. Ho Yik-chiu, 46 vjeç, Ng Ëing-lun, 45 vjeç dhe Hui Ping-kei, 48 vjeç, u deklaruan fajtorë, sipas The South China Morning Post.
Gjykata provoi se të tre hajdutët e kishin shënjestruar qëllimisht banesën e Fu gjatë kohës që ai ishte jashtë vendit. Pjesa më e madhe e sendeve me vlerë që u grabitën nuk janë gjetur ende.
Në vitin 2019, një letër kaligrafike autografike e shkruar nga Mao Ce Duni u shit në ankand nga Sotheby’s për 636,000 dollarë .
g.kosovari