Ministria e Jashtme ruse ka dënuar veprimin e protestuesve në Poloni, të cilët hodhën lëng të kuq mbi ambasadorin rus atje.
“Neo-nazistët treguan edhe njëherë fytyrën e tyre dhe ajo është e përgjakshme“, tha në një reagim zëdhënësja Maria Zakharova.
Rusia kujtoi këtë të hënë fitoren e saj mbi Gjermaninë në vitin 1945 dhe përsëriti pretendimet se po vepron për të spastruar Ukrainën e sotme nga nazistët.
Sulmi ndaj Sergei Andreyev dhe zyrtarëve të tjerë të ambasadës ruse ndodhi teksa ata shkuan për të vendosur kurora me lule në një varrezë në Varshavë, një akt kujtimi për ushtarët sovjetikë të vrarë duke luftuar Gjermaninë naziste në Poloninë e pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Protestuesit i thanë mediave lokale se substanca e kuqe, e cila dukej si bojë, përfaqësonte gjakun e ukrainasve të derdhur nga ushtarët rusë në pushtimin aktual.
Duke komentuar sulmin, Zakharova akuzoi Perëndimin se “përcaktoi një kurs për rimishërimin e fashizmit”.
/a.r