Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve të ushtruara në lokale dhe ambiente të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të ushtrimit të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin “Gaminator 3″.
Në kuadër të këtij operacioni u bë shpallja në kërkim e Sotir Beqo, 59 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në përdorim nga ky person, në zonën e quajtur ”Selvia”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 makineta që përdoreshin për lojërat e fatit.
Por gjatë këtij kontrolli, Inspektorët e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit janë përballur me një të papritur. Beqo i ka mbyllur ata brenda në lokal dhe është larguar. Sipas mediave, është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të hapur derën.
Policia thotë se vijon puna për kapjen e 59-vjeçarit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
/a.r