Nga muaji prill, paga maksimale për efekt të llogaritjes së sigurimeve shoqërore do të jetë 141,133 lekë, nga 132,312 lekë që ishte më parë, sipas Ministrisë së Financave.
Paga maksimale është rritur me 6.7% me të njëjtën përqindje që u rrit edhe paga minimale., që nga 1 prilli është 32 mijë lekë, nga 30 mijë lekë që ishte më parë.
Rritja e pagës maksimale çon në pagesa më të larta të sigurimeve, si nga punëdhënësi, ashtu dhe nga punëmarrësi. Për pagat që janë mbi 140 mijë lekë në muaj, shuma shtesë që do të paguhet është 2,161 lekë në muaj, nga e cila 1,323 lekë nga punëdhënësi dhe 838 lekë nga punëmarrësi. Në total, sigurimet shoqërore për pagat 141 mijë lekë e më lart do të jenë 34.6 mijë lekë, me një rritje prej 6.7% (shiko tabelën: Si ndryshon pagesa e sigurimeve shoqërore pas rritjes së pagës maksimale)
Njëkohësisht nga 1 prilli ka hyrë në fuqi dhe skema e re e tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi. Në bazë të këtyre ndryshimeve, tatimi maksimal prej 23% do të zbatohet për pagat mbi 200 mijë lekë, nga 150 mijë lekë që ishte kufiri deri tani.
Si shembull, për pagat që janë 200 mijë lekë bruto në muaj, tatimi mbi të ardhurat që duhet paguar është 22,100 lekë, ose 5 mijë lekë më pak (-18.5%).
Për pagat që janë 250 mijë lekë bruto në muaj, tatimi mbi të ardhurat që duhet paguar është 33,600 lekë, ose 5 mijë lekë më pak (-13%)- Shiko tabelën . Si ndryshon pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale
Si rrjedhojë, përfitimi neto nga rritja e kufirit të TAP që tatohet me 23% është rreth 2,800 lekë për pagat deri në 250 mijë lekë.
Paga minimale
Më herët, tatimet njoftuan se duke filluar nga periudha Prill 2022, paga bazë minimale mujore, në shkallë vendi për punonjësit, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendas apo i huaj, është 32,000 lekë. (VKM nr.158, datë 12.03.2022).
Paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, për personat e punësuar; për personat e vetëpunësuar; si dhe për punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht, do të jetë jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 32,000(tridhjetë e dy mijë) lekë.
Paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimit shëndetësor, do të jetë:
-Jo më pak se sa paga minimale mujore në shkallë vendi, prej 32.000(tridhjetë e dy mijë) lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listëpagesës, për personat e punësuar;
-Sa dyfishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 64.000 (gjashtëdhjetë e katër mijë) lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton.
Tatimi mbi pagat
Sipas njoftimit zyrtar të tatimeve, në zbatim të ligjit nr. 113/2021 datë 25.11.2021, për një ndryshim në ligjin Nr.8438, datë 28.12.1998, “Për Tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar se norma tatimore mujore për tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi ka ndryshuar, me efekt nga data 01.04.2022 sipas tabelës referuese./Monitor
Disa shembuj se si ndryshon pagesa e sigurimeve dhe e TAP nga 1 prilli