Një embargo perëndimore ndaj naftës dhe gazit rus do t’i jepte një “goditje shumë të rëndë” presidentit rus Vladimir Putin, tha për BBC ish-oligarku Mikhail Khodorkovsky, i cili tani ndodhet në mërgim në Londër.
“Unë mendoj se Putini do të humbasë më shumë se gjysmën e të ardhurave të tij nëse i duhet të devijojë eksportet e naftës dhe gazit nga tregjet evropiane në ato aziatike,” tha Khodorkovsky, dikur njeriu më i pasur i Rusisë dhe pronar i kompanisë më të madhe të naftës në vend.
I pyetur nëse sanksionet perëndimore kundër oligarkëve rusë do të bënin ndonjë ndryshim, ai tha:
“Është e rëndësishme të kuptohet se hapat e duhur po ndërmerren tani, por bazuar në supozime të pasakta… Oligarkët janë njerëz që kanë fuqinë për të luajtur një rol në procesin e vendimmarrjes politike. Këta njerëz nuk janë thjesht oligarkë, ata janë agjentë të Putinit dhe ai i përdor ata për të ndikuar ose të paktën për të provuar të ndikojë në sistemin politik perëndimor.
Kur u pyet nëse Putin është një kriminel lufte, asnjëri prej tyre nuk do të ishte i gatshëm të jepte një përgjigje të qartë, megjithëse të gjithë e kuptojnë se kjo është e vërtetë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se Putini i mban fort në dorë dhe se ata do të zbatonin çdo urdhër të tij. Dhe nga ky këndvështrim, bllokimi i llogarive të tyre bankare është vendimtar”.
I pyetur nëse kishte një ndjenjë përgjegjësie apo keqardhje për ndihmën ndaj Putinit për të marrë pushtetin në vitet 1990, ai tha “sigurisht”. “Fillova të ankohesha në vitin 2002 dhe 2003 kur i thashë Putinit në Kremlin se sistemi i tij ishte ndërtuar mbi korrupsionin dhe po shkatërronte vendin tonë”, citohet të ketë thënë Khodorkovsky. Tema