Kryeministri Edi Rama njoftoi këtë të martë se paralelisht me zgjedhjen e presidentit të ri, do të futet në proces edhe ligji për Presidentin. Sipas Ramës, kreu i ri i shtetit do të ketë një ligj që do të rregullojë veprimtarinë e tij.
Një tjetër ligj që pritet të kalojë qeveria do të jetë edhe ai për titujt dhe medaljet. Kryeministri Rama thotë për Metën se është presidenti “me tonelatat më të larta të teneqeve të shpërndara në Shqipëri” dhe se dekoron të vdekurit.
Prandaj për të, kjo gjë duhet rregulluar në mënyrë që shqipëria të jetë shtet serioz.
“Paralelisht për zgjedhjen e presidentit do të fusim në proces edhe ligjin e presidentit. Presidenti që do të zgjidhet do të hyjë në zyrë duke pasur edhe një ligj që rregullon veprimtarinë e vet. Na takon ta bëjmë këtë ashtu sikundër edhe ligjin që Taulanti e përmendi duke ironizuar me të drejtë qeverinë për medaljet. E kemi gati. Nuk e kemi futur në procesin e miratimit sepse do të ishte përsëri e kotë që ta bënim këtë pa u larguar fillimisht presidenti me tonelatat më të larta të teneqeve të shpërndara në Shqipëri qysh prej kur Shqipëria ka hyrë në epokën e bronzit. Kemi të vetmin sistem pa sistem titujsh dhe medaljesh në botë. Grupi i punës që ka hartuar projektin ka studiuar të gjitha kontinentet me kërkesën tonë që të kemi një studim të plotë për sistemin. Në të gjitha kontinentet nga Britania në Japoni, nga Polonia në Australi, nga Nigeria në Brazil, sistemi i titujve dhe medaljeve është sistem i njohur dhe është o njëri, o tjetri. Shqipëria bën përjashtim flagrant nga kjo. Është i vetmi vend në botë ku falë Ilir Metës dekordohen të vdekurit. Në logjikën e sistemit të titujve dhe medaljeve bën edhe një shkelje më të madhe se në shkeljen e Kushtetutës në sensin e antilogjikës. Ilir Meta e ka bërë Shqipërinë qesharake me dekret presidencial. Edhe kjo do të ndryshojë. Është shumë e rëndësishme për shtetin, për seriozitetin e një shteti. Do të kemi një shtet më serioz duke pasur një figurë më serioze për President apo Presidente. Duke pasur një sistem titujsh dhe medaljesh serioz siç e ka çdo vend”, tha Rama.
g.kosovari