Vajza e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, Elona Agolli ka publikuar një fotografi të rrallë ku shfaqet babai i saj dhe lideri historik i Partisë Socialiste Fatos Nano.
Këta të fundit janë shfaqur krah njëri-tjetrit në një Kongres të Partisë Socialiste ku kanë vendosur dorën në zemër për të kënduar Himnin Kombëtar.
Agolli ishte një ndër kritikët më të fortë të qeverisjes Nano, ku kërkonte më shumë transparencë, reforma dhe luftë ndaj korrupsionit.
Kulmi i kritikave arriti me shënimin “Shkërdhatokracia” ku Agolli doli kundër rrymës duke kërkuar nga Nano të marrë përgjegjësitë para shqiptarëve, shembull që mungon sot brenda forcave politike.
Patriarku i Partisë Socialiste e ka shënjuar emrin e tij me këtë forcë politike qysh në Kongresin e 10, ku përmes një fjalimi- manifest kërkoi ndarjen nga PPSH-ja dhe lindjen e PS-së.
Krejt natyrshëm, spontanisht, pa asnjë frenim dhe me kurajo, shkrimtari Agolli, hodhi poshtë raportin e kongresit, të mbushur me lavde për Enver Hoxhën dhe veprën e tij 44 në krye të Shqipërisë e të PPSH.
Ishte një guxim heroik të flisje në kongresin e komunistëve nostalgjik kundër Enver Hoxhës, idhullit të komunistëve e të shumicës së shqiptarëve por ja që Dritëro Agoli e bëri hapur dhe me nervozizëm goditjen kundër diktatorit dhe simbolit udhëheqës të PPSH, paçka se ishte një herezi dhe u mallkua prej delegatëve të kongresit.
Edhe pse me një kontribut historik në reformimin e Partisë Socialiste, letërsisë shqiptare si dhe publicistikë, sot Agolli duket i harruar nga politika ku edhe pas 5 viteve nga vdekja e tij ende “shtëpia muze” në fshatin e lindjes gjendet e shkatërruar dhe pa asnjë iniciativë për t’i dhënë dinjitetin që meriton.
/b.h