Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka njoftuar sot se forcat ruse kanë përfunduar tërheqjen nga rajoni verior i Ukrainës, Sumy. Ndërkohë, shtohet se po vijon grumbullimi i forcave në lindje të vendit.
“Okupatorët rusë i tërhoqën plotësisht trupat e tyre nga rajoni i Sumy-t në Federatën Ruse”, thuhet në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm në Facebook.
Ushtria ruse njoftoi më herët se po tërhiqej nga veriu i Ukrainës dhe rreth Kievit për të përqendruar përpjekjet në rajonin lindor të Donbasit.
Sipas asaj që thuhet në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm, trupat ruse kanë vijuar të grumbullohen në rajonet jugore të Zaporizhzhia-s dhe Donetskut lindor dhe vijuan ofensivën në drejtim të Popasna-s dhe Severodonetsk-ut, në rajonin lindor të Luhanskut.
g.kosovari