Rritet numri i bizneseve të fiskalizuara. Nga 1 janari 2021 deri më 15 mars sipas të dhënave të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve janë fiskalizuar 65% e bizneseve aktive.
Deri tani janë të fiskalizuar 77,541 biznese nga 118,953 subjekte aktive në të gjithë vendin (deri mё datёn 23.01.2022 rezultonin 70,536 ose rreth 60% e totalit tё tatimpaguesve qё kishin pёrmbyllur procesin e fiskalizimit me rreth 174,8 mln fatura tё lёshuara).
Sipas DPT-së në total janë fiskalizuar 100% e biznesit të madh aktiv dhe 90% e biznesit të vogël me TVSH. Numri i biznesit të vogël aktiv me TVSH dhe pa TVSH është 92,000 subjekte.
Për biznesin e vogël afati i periudhës pa penalitete për fiskalizimin përfundon më 30 qershor 2022. Gjobat për subjektet e vogla do të fillojnë të aplikohen pas 30 qershorit 2022, sipas ndryshimeve të Aktit Normativ për shtesën në ligjin “Për procedurat tatimore” i botuar në Fletoren Zyrtare më 27 dhjetor 2021. Periudha pa gjoba do të zbatohet deri në fund të qershorit 2022 edhe për ndërmarrjet që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpaguese.
Nga nisja e fiskalizmit deri tani janë lëshuar 253,063,831 fatura të fiskalizuara.
Faza e parë e fiskalizimit nisi zbatimin më 1 janar 2021 për transaksionet pa para në dorë mes sipërmarrjeve dhe enteve publike. Faza II, që nisi më 1 korrik, përfshiu në procesin e ri të faturimit, transaksionin papara në dorë mes bizneseve. Në këtë fazë u hasën probleme me bllokimin e portalit SelfCare për shkak të mbingarkesës. Në fazën përfundimtare, që konsiderohet dhe më delikatja, u përfshinë nga 1 shtatori i vitit të kaluar 92,000 biznese të vogla për shitjet me para në dorë. Deri në fund të vitit të kaluar u realizua gjysma e procesit. Ndërveprimi me bizneset që nuk ishin të pajisur me certifikatë elektronike ishte i pamundur, sipas ekspertëve pasi nuk njihet TVSH-ja e zbritshme. Nga kontabilistë më herët është ngritur edhe shqetësimi i plotësimit të librave të shitjeve në e-filing dhe hedhja e tyre manualisht në sistemin e fiskalizmit.
Pak ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi tatimpaguesit se dorëzimi i deklaratës së TVSH-së apo librave të shitjes dhe blerjes do të vijojë të kryhet nëpërmjet llogarive në e-filing deri më 30 qershor.
Ndërsa nga 1 korrik 2022, librat e shitjes/blerjes dhe deklarata e TVSH-së do të plotësohen automatikisht, sipas të dhënave të sistemit të fiskalizimit.
Sipas DPT-së, gjatë muajve prill-qershor tatimpaguesve do t’u ofrohet një hapësirë e dedikuar për të raportuar çdo problematikë, që kanë hasur gjatë dorëzimeve manuale në e-filing, me qëllim zgjidhjen e çdo problematike dhe përmirësimin e shërbimit.
Të dhënat e fiskalizimit
-77,541 tatimpagues aktivë të fiskalizuar
– 118,953 totali i bizneseve aktive
-92,000 totali i biznesit të vogël aktiv
-253,063,831 fatura të fiskalizuara të lëshuara nga 1 janari 2021 deri më 15 Mars 2022
-100% e Biznesit të Madh aktiv është fiskalizuar
-90% e tatimpaguesve në BV me TVSH aktive janë fiskalizuar
/a.r