Në kërkesën e saj ndaj “Ka Një Mesazh Për Ty”, Shegushja ka ftuar gruan që mendon se është nëna e saj, Nailen, por ajo nuk ka pranuar të vijë. Personi i dytë që ajo i drejtoi ftesën, Hermondi, është vëllai i familjes ku ajo është rritur, të cilës mendon se nuk i përket. Pas 8 vitesh larg, vëlla e motër takohen në studion “E diela shqiptare” në Tv Klan, por a do pranojë Hermondi të kryejë testin e ADN-së për të qetësuar brengën e Shegushes?
Shegushe: Unë kam ardhur këtu, të kam bërë ftesën ty… nuk mund të vazhdoj më.
Ardit Gjebrea: E ke të vështirë? Është e bllokuar, e ka të vështirë të shpjegojë. Kur motra jote ka qenë e vogël ka dëgjuar që në moshën 10-vjeçare thashetheme nga njerëzit rreth e rrotull që nuk ishte vajza e familjes tuaj. Disa herë ajo është përpjekur që të takojë zonjën tjetër sepse sipas Shegushes ka ndodhur një ndërrim në maternitet. Është rritur në familjen tuaj dhe deri në 10 vjeç ajo ka jetuar me idenë që “po, kjo është familja ime”. Njerëzit nuk pushonin, flisnin, flisnin, flisnin dhe të them të vërtetën ajo që diskutova pak më parë ishte që ndonjëherë opinioni mund të shkatërrojë një familje por mund të thojë edhe një të vërtetë. Motra sot ka ardhur dhe thotë “nëse unë jam vajza e asaj familjeje, në rregull, nëse nuk jam, ta marrim vesh të vërtetën. Unë besoj që një njeri ka të drejtë që të dijë “është kjo familja ime biologjike apo jo, është Hermondi vëllai im apo jo”. Ti do të ishe i gatshëm që ne të ndihmonim motrën tënde, të gjenim të vërtetën është apo jo?
Hermond: Pak a shumë nuk e di, se jam i fundit nga fëmijët.
Ardit Gjebrea: Po s’ka gjë, ti je një nga fëmijët.
Hermond: Unë e njoh për motër.
Ardit Gjebrea: Sigurisht, por a do doje të ndihmoje që ajo të gjejë është motër apo jo?
Hermond: Nuk e di.
Ardit Gjebrea: Ka një mënyrë për ta marrë vesh. E ke parasysh tamponin e Covid-it?
Hermond: Po.
Ardit Gjebrea: Bukur. Bëhet një tampon, merret pak pështymë nga ti, pak pështymë nga motra, bëhet një analizë dhe e marrim vesh, do ishe i gatshëm ta bëje?
Hermond: Jo.
Ardit Gjebrea: Pse?
Hermond: Sepse e konsideroj si motër. Nuk e hedh poshtë, është motra ime, çdo gjë që mund t’i ketë ndodhur, është rritur në familjen time.