Më shumë se 6 mijë shqiptarë që jetojnë në Serbi janë hequr nga listat e votuesve, në vigjiljen e zgjedhjeve presidenciale, parlamentare dhe të pjesshme lokale të Serbisë.
Bazuar në kërkimet shkencore të, Flora Ferati Sachsenmaier, akademike dhe një ish-banore e zonës së Luginës së Preshevës, shqiptarët etnikë janë fshirë sistematikisht nga listat e votuesve në Serbi, duke u privuar kështu de-facto nga të drejtat e tyre elementare.
Të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara nga Sachsenmaier, bazuar në listat e votuesve, sugjerojnë se 4 mijë e 200 persona nga komunën e Medvegjës dhe 2 mijë të tjera nga komuna e Bujanocit janë çregjistruar nga listat e votuesve.
Me zgjedhjet e trefishta në Serbi që zhvillohen të dielën, heqja e një numri kaq të lartë të shqiptarëve etnikë nga listat e votuesve mund të ndryshojë rezultatin e votave.
Të dhëna të mëtejshme të mbledhura nga Sachsenmaier sugjerojnë se disa fshatra të Medvegjës kanë parë një rënie të popullsisë shqiptare prej 41 deri 71 për qind, edhe pse ata nuk u larguan kurrë nga zona.
Për shembull, në fshatin Sfrice numri i votuesve shqiptarë etnikë është ulur me 71, 25% ndërmjet viteve 2012 dhe 2019. Ndërsa në Sijarinë, numri në fjalë është ulur për 70,64 për qind.
Sipas hulumtimit të Sachsenmeir dhe dëshmive të mbledhura nga banorët, autoritetet serbe, pretenduan se po dërgonin zyrtarë shtetëror për të verifikuar vendbanimet.
Këta të dërguar do të raportonin se banorët nuk mund të gjendeshin në adresat e tyre dhe kështu rrjedhimisht Komisioni Zgjedhor në Serbi do të fshijë familje të tëra nga listat zgjedhore, pa vendim paraprak të lëshuar me shkrim.
Sipas Sachsenmeir qytetarëve të larguar nga listat zgjedhore serbe u është thënë “Jo, ju nuk jetoni këtu, ju jetoni në Kosovë, ne nuk mund t’ju njohim”.
“Është e rëndësishme të kuptohet se ata po abuzojnë me ligjin. Çdo vend në botë ka një ligj për vendbanimin, por nuk ka asnjë vend në Evropë që abuzon me ligjin në fjalë që ka në cak një grup të caktuar në atë mënyrë për të ndryshuar përbërjen etnike të një zone”.
Studiuesja shpjegoi se në Institutin Max Planck për Studimin e Diversitetit Fetar dhe Etnik, ajo kreu një studim me 500 shqiptarë të fshirë në Medvegjë, dhe vetëm 20 iu dha një vendim me shkrim, i shtypur në gjuhën serbe, edhe pse ligji parasheh që vendimi mut të shkruhet edhe në gjuhën shqipe.
“Ata e dinë se ajo që po bëjnë nuk është kushtetuese, kështu që duke mos lëshuar një dokument të shkruar, ata fshehin gjurmët,” shtoi Sachsenmaier.
Praktika në fjalë u quajt nga Komiteti i Helsinkit në Beograd “spastrim etnik me mjete administrative”.