Megaskandal në Kadastrën e Durrësit. Shkrirja e kadastrës së Durrësitdhe nisja e hetimeve të thelluara për abuzimet që janë bërë atje në 32 vite kanë nxjerrë një raport me shkeljet e detajuara që janë zhvilluar. Në një raport 600 faqesh vihet re se abuzimet janë përtej imagjinatës dhe zonat ku janë kryer paligjshmërisë dhe plaçkitjet më të mëdha janë ato bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj.
Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame tha se nga të gjitha dosjet e marra nga kjo kadastër vetëm 15 % e tyre janë pa probleme, ndërsa pjesa tjetër e regjistrave janë me faqe që mungojnë, të grisura madje edhe shumë të dubluara që tregojnë se për një pasuri janë ndjekur dy rrugë të ndryshme legalizimi apo kthimi te pronari duke sjellë abuzime shumë të mëdha.
“Situata që paraqet Raporti e tejkalon çfarëdolloj imagjinate. Mjafton të të them vetëm disa shifra:
Nga 1063 regjistra, vetëm 152 rezultojnë pa dëmtime.
Të tjerët, (908 regjistra) rezultojnë të dëmtuar me grisje, heqje fletësh, ndërrime faqesh, etj.
– 730 faqe mungojnë tërësisht (janë grisur dhe nuk janë zëvendësuar fare);
– 243 faqe të zëvendësuara (pra kanë hequr faqen e vërtetë dhe e kanë zëvendësuar me një tjetër);
– 569 faqe të dubluara (pra e njëjta pasuri ekziston 2 herë. Këtë e bënin për të punuar me dy linja për të njëjtën pasuri);
– 25 faqe të grisura (pra është grisur faqja, por ka mbetur pjesa e qepjes);
-1548 faqe bosh (faqe që liheshin bosh herë pas here, me qëllim për t’u përdorur me data te mëparshme).
Sa më sipër janë dëmtimet që duken, pasi ka edhe pafund ndërrime fletësh që janë bërë me art dhe nuk kuptohet që janë zëvendësuar. Kjo sepse regjistrat janë të shqepur dhe mund të heqësh e të shtosh pa hesap. Regjistrat e dëmtuar më shumë, natyrisht që janë ata që kanë të bëjnë me pasuritë përgjatë zonës bregdetare: Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj”, tha Lame.
Zonat bregdetare janë ato që janë abuzuar dhe plaçkitur më tepër, ndërsa për Artan Lamen kjo ndodh për shkak se nuk ka patur rregullore dhe përgjegjësi se kush i administronte regjistrat dhe kur kalohej arkivi nga një punonjës tek tjetri, kjo bëhej pa inventar dhe pa asnjë kontroll. Tashmë arkivi i kadastrës Durrës do i nënshtrohet dixhitalizmit dhe do të jetë i pajisur me sistem kamerash dhe alarmi.
“Po e kujt është përgjegjësia e gjithë kësaj situate? Mjafton të them se asnjëherë nuk ka patur rregullore dhe përgjegjësi të qartë se kush i administronte regjistrat. Kjo bën që kushdo mund të merrte prej tyre, mund të hiqte e të shtonte. Edhe kur kalohej arkivi nga një punonjës tek tjetri, kjo bëhej pa inventar dhe pa asnjë kontroll. Vlera e parë e këtij inventari, është që të paktën vendos një ditë “0”, pra që pas kësaj dite nuk ka më rrëmujë dhe ndryshime të pakontrolluara. Arkivi është me sistem kamerash dhe sistem alarmi. Ka një person përgjegjës për çdo hyrje – dalje dokumentacioni dhe personi.
Ky material do të përcillet zyrtarisht edhe në KM dhe në MD, të paktën për dy arsye:
-Kushdo prej strukturave kontrolluese të mund të vijojë hetimet mbi bazën e këtij Raporti.
-Për t’iu shmangur presionit të lloj-lloj banditëve që sapo të marrin vesh për këtë raport, do fillojnë presionet për të plotësuar gropat e identifikuara.
Nga ana jonë, do të bëjmë bllokimin e të gjitha pasurive që identifikohen si me probleme.
Zgjidhja përfundimtare e kësaj situate, do të vijë përmes procesit të nisur sivjet me mbështetjen ne Qeverisë: Projekti i Skanimit dhe dixhitalizimit të arkivit.
Gjithashtu mendoj që gjetjet e Raportit ti bëj publike, pasi kjo do ti shpjegonte publikut se nga gjeneron pjesa më e madhe e halleve dhe sherreve te njerëzve ne zonën e Durrësit”, tha Lame.
Në janar të 2022 Ministria e Drejtësisë vendosi të shkrijë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Durrës për shkaka të abuzimeve që ishin bërë në të thuajse nga e gjithë administratat. Ministri Ulsi Manja tha se ka një koordinim perfekt e të gjithë administratës atje në shkelje të ligjit, duke filluar nga drejtori deri te çdo nëpunës të cilët veprojnë si “çetë kaçakësh” duke abuzuar me punë dhe dokumentet për legalizimin e subjekteve.
g.kosovari