Presidenti kinez Xi Jinping bëri të premten një bisedë telefonike me kryeministrin britanik Boris Johnson.
Xi vuri në dukje se ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në rang ambasadorësh ndërmjet Kinës e Britanisë.
Në këto 50 vjet, marrëdhëniet kino-britanike janë zhvilluar në përgjithësi në mënyrë të pandërprerë, me gjithë disa vështirësi.
Dy udhëheqësit shkëmbyen mendime për situatën në Ukrainë.
Xi Jinping-u shpjegoi parimet dhe qëndrimin e palës kineze dhe theksoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të nxitë bisedimet paqësore dhe të krijojë kushte për zgjidhjen e problemit të Ukrainës me mjete politike, duke nxitur rikthimin e shpejtë të paqes në Ukrainë.
Pala kineze dëshiron të vazhdojë rolin konstruktiv për këtë gjë, tha ai.
Duke u ndalur në çështjet ekonomike, palët nënvizuan faktin se vëllimi i përgjithshëm tregtar ndërmjet dy vendeve është shtuar nga 300 milionë dollarë në mbi 100 miliardë dollarë.
Vitin e kaluar, tregtia dypalëshe shënoi një rekord të ri dhe investimet kineze në Britaninë e Madhe u shtuan dy herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Presidenti kinez theksoi më tej se Kina dhe Britania e Madhe kanë kushte të ndryshme kombëtare dhe rrugë të ndryshme zhvillimi. Të dy palët duhet të synojnë zhvillimin strategjik afatgjatë.
Boris Johnson u shpreh nga ana e tij se marrëdhëniet britaniko-kineze janë shumë të rëndësishme. Vëllimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve është shtuar shumë shpejt. Pala britanike dëshiron të zhvillojë dialogun e sinqertë me palën kineze mbi shumë çështje ndërkombëtare.
/a.r