Deputeti Edi Paloka, pjesë e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, thotë që nga 9 shtatori dhe më pas është përpjekur që të gjendet një zgjidhje në Partinë Demokratike.
Ai tha se zgjidhja gjithmonë ka qenë vota dhe për këtë i ka kërkuar Lulzim Bashës që të votëbesohet.
Ai deklaroi se më 5 janar propozoi ngritjen e një komisioni të përbashkët që të bashkojë palët dhe të shkonin në zgjedhje të gjithë të bashkuar.
“Në asnjë rast, Lulzim Basha nuk e pranoi votën si zgjedhje. Kur i kërkova mocion pa hyrë në garë me Berishën, nuk e pranoi. Votëbesimi u bë në një farë mënyre në 6 mars mes demokratëve, edhe pse PD pa qenë e bashkuar do e ketë shumë të vështirë fitoren. Bashkimi është domosdoshmëri për demokratët. Këtë nuk e them vetëm unë, por të gjithë. Edhe deputetët që deri dje mbështesnin Bashën, kanë kërkuar zgjidhje.
6 marsi i mbylli të gjitha historitë dhe sot jemi para një realiteti, edhe deputetët që e kanë ndjekur deri dje, i kërkojnë dorëheqjen. Basha ka vetëm një zgjidhje, sepse përsërit të njëjtën fshehje, jam i gatshëm për çdo hap.
Por i kërkohet vetëm një gjë, hap derën e PD, lejo demokratët që të bashkohen. Që përkthehet nga deputetët e tij dorëheqje. Nuk ka çfarë të mendohet dhe çfarë zgjidhje tjetër të diskutojë.”
Sipas tij, Lulzim Basha po e trajton Partinë Demokratike, sikur të jetë pronë e tij.
Teksa ditën e nesërme, Dhoma Civile në Gjykatën e Tiranës pritet të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për regjistrimin e ndryshimeve të statutit të partisë dhe organeve të reja, Paloka tha se edhe sikur nesër gjykata të marrë një vendim për njohjen e vendimeve të Kuvendit të marra në korrik, nuk ka asgjë të keqe.
Por siç tha Paloka, do të ishte sikur gjyqtarët të ishin jashtë realitetit, pasi gjërat kanë ndryshuar tërësisht.
“Historia nëpër gjykata vijon në mënyrë që Basha të qëndrojë, nën personin që ka nën kontroll drejtësinë, Edi Rama. Këtë kohë po ia jep Edi Rama! Lulzim Bashës i ngelet vetëm të pranojë publikisht se me Ramën po bashkëpunon për ta sjellë situatën aty ku i leverdis Edi Ramës.”
Në vijim ai shtoi se Sali Berishën e rikthyen në politikë, ata që bën aktin politik të shpalljes “non grata” të Berishës.
Paloka tha se ishte kërkesë e demokratëve që Berisha të rikthehej, për të arritur që PD të rikthehej, pasi deri para asaj lëvizje “kishte rënë si në një kënetë dhe demokratët ishin të demoralizuar”.
Ai deklaroi se kjo lëvizje riktheu dhe Partinë Demokratike dhe shpresën që PD jo vetëm mund të rikthehet, por edhe të mund të fitojë.
Sipas tij nëse Sali Berisha do të mund të kandidojë, mund t’i dalë kushdo përballë.
Lidhur me gabimin më të madh të Sali Berishës, ka qenë mbështetja për Lulzim Bashën, ndërsa për këtë të fundit tha se ka shumë gabime.
“Ky është gabimi më i madh që po bën, Lulzim Basha po shfaqet në një moment me mungesë të plotë dinjiteti dhe personaliteti.”/m.j