Nga Bajram Peçi
Vladimir Putin, i zgjedhur si president i Rusisë, por që sillet si zot i saj, vëndi që në Këshillin e Sigurimit ka të drejtën e vetos, kërcënon botën me luftë termobërthamore. Nuk kërcënon këdo, por vëndet me shoqëri të hapura, vëndet me demokraci të zhvilluara. Ky i papërgjegjshëm, vëndi i të cilit ka përgjegjësinë të ruajë paqen, sapo e ka shkatërruar atë në Europë. I helmuar nga shuarja e CCCP-së, i vrarë shpirtërisht, këlyshi i organizatës famëkeqe, KGB, kërkon ngritjen e një perandorie që vdiq para 30 vjetësh. Don ta nxjerrë atë nga varri, duke sulmuar, pushtuar e rrëmbyer tokat, pasuritë e lirinë e popujve fqinj.
Një organizëm ndërkombëtar për ruajtjen e paqes ishte për Uillsonin objektivi që ai i kushtoi gjithë vëmendjen në Konferencën e Paqes në Paris. Lindi kështu pas Luftës së Madhe, falë përpjekjeve të tij, Lidhja e Kombeve me qendër në Gjenevë, e cila u strukturua me një Asamble të Përgjithshme, një Këshill me nëntë anëtarë, ku pesë prej tyre ishin vënde të përhershme. Objektivi i saj, gjithçka me të cilën do merrej, do ishte ruajtja e paqes. Ky forum, i pari i këtij lloji, dështoi ngase Gjermania, Italia dhe Japonia, për shkak të politikave militariste dhe nxitjes së agresionit, e hodhën Europën dhe botën në një luftë të tmerrshme.
Në Jaltë Tre të Mëdhenjtë, pasi ranë dakord se si do ndanin Gjermaninë dhe botën, për ruajtjen e paqes në të ardhmen, i dhanë kohë diskutimit për shuarjen e Lidhjes së Kombeve dhe ngritjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në qershor 1945 në Konferencen e San Françiskos u miratua Karta e OKB-së, në thelb të së cilës ishte ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë. Ajo ruajti disa struktura dhe ngriti Këshillin e Sigurimit. Tre të Mëdhenjtë, që më pas u bënë pesë, do kishin të drejtën e vetos. Që kur u vendos kjo amerikanët kërkuan heqjen e të drejtës së vetos, kur një nga të mëdhenjtë është e implikuar në konflikt, siç ndodh tani me sulmin e Rusisë për pushtimin e Ukrainës, çka s’u realizua, duke e shndërruar OKB-në dhe Këshillin e Sigurimit në pengmarrje.
Rezoluta e përbashkët për sulmin fashist ndaj Ukrainës, që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara paraqiten në Këshillin e Sigurimit dhe vetua që vuri Rusia, tregon më së miri dobësinë e OKB-së, zhurmën e gurgulenë, ku zhurmojnë më kotë se nuk merren vendime të dobishme për paqen.
Lufta e Dytë Botërore mbaroi, duke parë Rusinë (BRSS) të vinte nën kontrollin e saj politik dhe ekonomik Poloninë, për shkak të së cilës kish filluar edhe kjo luftë. Ishte Çurçilli ai që dyshoi në qëllimet jo të mira të Stalinit pas luftës, por s’kishte forca të ndryshonte rrjedhën. Vetëm tre vjet më pas, kur BRSS shpërtheu bombën e parë atomike, civilizimi europian dhe amerikan e panë të domosdoshme (pasi nuk kishin besueshmëri te OKB-ja) të ngrinin e ndërtonin një aparat ushtarak, një pakt ushtrish e armësh që do përfshinte fillimisht Atllantikun e Veriut e më pas shumicën e botës së qytetëruar të Europës.
Prandaj e kemi NATO-n, për të ruajtur qytetërimin nga natyra e vrazhdë e banale e Putinit dhe putinëve, prandaj ndjehemi krenar pse jemi pjesë e saj! Vetëm një mëndje e çoroditur arrin t’i përmend botës, popujve, tmerret e një vdekje poshtëruese, atë që vjen nga shpërthimet bërthamore. “Nuk do ketë fitues…”, na kujtoi ky i ngopur nga nderimet e favoret, me pushtetin e gjithfuqishëm. I ngopur me pushtet, i tejngopur me ambicje të plotësuara deri në kufijtë e mbytjes, i mbyllur (siç rrëfejnë) në vetvete, mendja e tij ka gjetur strehim te një botë që u përket individeve të papërgjegjshëm. Prej kësaj gjëndje ka rrjedhur kërkesa për të ripare “padrejtësitë” që i janë bërë Rusisë dhe “kërcënimet” që i vijnë nga Ukraina dhe NATO?! Ëndrra e keqe që pason adhurimin e rrethit të tij të plutokratëve i ka helmuar trurin dhe shpirtin. Njerëz, jini vigjilent-na kujtonte Julis Fuçik, nga burgu kur shkruante “reportazh me litar në grykë”!