Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe tashmë ka mbërritur në Bjellorusi për të ndihmuar në bisedimet e paqes, është raportuar sot.
Miliarderi ruso-izraelit besohet se ka fluturuar në vendin e Evropës Lindore përpara bisedimeve të vështira mes zyrtarëve ukrainas dhe rusë që nisën mesditën e sotme, shkruan Daily Mail.
Biznesmeni është nën presion për të folur pas pushtimit të Ukrainës nga forcat e Vladimir Putin.
Të shtunën, mes presionit në rritje, Abramovich njoftoi planet për të dorëzuar administrimin e Chelsea-t të tij të dashur në fondacionin e bamirësisë të klubit.
Por sot, në një lëvizje befasuese, një zëdhënës i klubit zbuloi se biznesmeni ka qenë ‘duke u përpjekur të ndihmojë’ në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje.
“Mund të konfirmoj se Roman Abramovich u kontaktua nga pala ukrainase për mbështetje në arritjen e një zgjidhjeje paqësore dhe se ai është përpjekur të ndihmojë që atëherë”, tha një zëdhënës i Chelseat.
“Duke marrë parasysh se çfarë është në rrezik, ne do të kërkojmë mirëkuptimin tuaj se pse nuk kemi komentuar as situatën si të tillë dhe as përfshirjen e tij.”
Sipas Jerusalem Post, Abramovich është tashmë në Bjellorusi, ku delegacionet nga Rusia dhe Ukraina janë takuar në qytetin kufitar Gomel.
Ambasadori i Ukrainës në Izrael, Yevgen Kornichuk i tha faqes së lajmeve se nuk do të komentonte në mënyrë specifike përfshirjen e Abramovich në bisedime.
Megjithatë ai shtoi: “Ne vlerësojmë këdo që mund të ndihmojë, nëse ai ka ndikim të mjaftueshëm.”
g.kosovari