Nga Bajram Peçi
Lojrat olimpike dimërore Pekin 2022 mbaruan. Tani gjithkush është i lirë të luftojë për të vrarë njerëz (!?). Parashikimi amerikan se nga data 16 ose 17 shkurt Putin do urdhëronte sulmin kundër Ukrainës nuk merrte parasysh se njeriu që përgatit ta hedhë Europën në flakë “i ishte përmbajtur” kësaj ligjësie të lashtë!? Është e njohur se Lojrat Olimpike të lashtësisë zhvilloheshin për ndalimin e luftrave.
Ndaleshin luftrat, ndërpriteshin konfliktet dhe siguronte atë që quhej “Paqja Olimpike. Putin mbase e kish detyrim sigurimin e kësaj paqeje për hir edhe te aleatit kinez si vend organizator. Dhe Putin me Rusinë, një nga katër anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit (që të vetmen përgjegjësi kanë ruajtjen e paqes në botë) armët e zjarrit të të gjitha llojeve, madje dhe ato nukleare, i kish nxjerrë para fillimit të lojrave. Si burrë udhëheqës i një kombi të qytetëruar ka pritur deri sa të mbarojnë Lojrat Olimpike (hahaha…). Përgatitjen për agresion nuk janë munduar ta fshehin. Ditën që mbaruan lojrat filluan dhe sulmet (si nxemje) në lindje të Ukrainës si dhe nxitën zbrazjen e Donasit.
Ambicja, si armik shekullor i drejtësisë, e nxit Putinin të risjellë ditët e “lavdishme”, ato 80 vjeçare të perandorinë komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe ato 200 vjeçare të sundimit carist. E gjithë ambicja mbështetet tek e drejta e të fortit.
“Ndalojeni tani!”, u tha Ministrja e Jashtme e Britanisë popujve e shteteve të tjera që mund të maten me këtë njeri që shpërfaq sjellje çmëndurake. “Ndalojeni Putinin tani!”, kërkon me forcë ajo, duke lënë të kuptohet se nesër do jetë vonë. Më tej, Ministrja e Jashtme Britanike Liz Tras, ka paralajmëruar e u kujton naivëve se ai nuk do ndalet në Ukrainë. Po të ishte ndryshe, nuk do kish arsye të përmendëte popullin shqiptar dhe atë boshnjak në Ballkanin Perëndimor?
Të presim kur! Të mëdhenjtë e qytetërimit perëndimor thonë se ai e ka vendosur. Kur të ndodhë kjo, gjithë ngrehina e të drejtës ndërkombëtare do shembet me zhurmë mbi kombe e miljona jetë njerëzish.
Zot na ruaj nga të çmëndurit!
Kam dëgjuar se në murin e jashtëm të portës hyrëse të spitalit psikiatrik të Gjenovas, është e vendosur një pllakë mermeri në të cilën shkruhet “JO TË GJITHË JEMI KËTU!”. Këta burra të “mënçur”, me këtë kanë dashur të tregojnë se kanë pranuar t’i nënshtrohen një rregjimi mjekimi dhe janë të parrezikshëm, ndërsa tërë ajo shumicë e sëmurë që është jashtë spitalit psikiatrik e nuk pranon të marrë mjekim, paraqet rrezikshmëri shoqërore. Ata që janë jashtë, pra midis nesh, ende nuk njohin e nuk pranojnë që janë të sëmurë. Këtu qëndron problemi! Në Historinë e Qytetërimeve, të autorit suedez, Grimberg, gjen plot shëmbuj që të çmëndurit drejtuan perandori.