Policia e Shtetit ka bërë bilancin e një jave, ku ka kryer me dhjetëra operacione për të goditur krimin dhe paligjshmërinë.
Gjatë aksioneve, janë goditur tre laboratorë, janë sekuestruar drogë e armë zjarri, si dhe janë arrestuar e proceduar penalisht qindra persona.
Njoftimi i plotë:
Në të gjithë vendin, strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë operacionet policore, për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, për goditjen e armëmbajtjes pa leje, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, për goditjen e krimeve mjedisore dhe krimeve ekonomike.
Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 535 persona në total, nga këta 164 janë arrestuar, 354 janë proceduar dhe 17 janë shpallur në kërkim.
Janë kapur në total 36 persona në kërkim, nga këta 31 në kërkim kombëtar dhe 5 në kërkim ndërkombëtar.
Janë zhvilluar 24 operacione policore të koduara: “Four”, “Transit”, “Stacioni”, “Ndërveprimi”, “Restart”, “Bradasheshi”, “Ulëza”, “No more”, “Seven”, “Eksplozivi”, “Fati i lojërave” (3 raste), “Fake Test”, “Lastra”, “Lumthi”, “Gramsh 2022”, “Shëtitësi”, “Lalm i Ri”, “Contraband”, “Moonlight”, “Vjosa e pastër”, “Whiteness” dhe “Shoshan”.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje (armë zjarri, armë të ftohta dhe municion luftarak), janë evidentuar 13 raste, me 8 persona të arrestuar, 4 të proceduar dhe 1 në kërkim.
Janë sekuestruar 4 armë zjarri, municion luftarak, 8 armë të ftohta, 450 gramë kokainë, 73 kilogramë kanabis, rreth 1 milion euro të falsifikuara, një sasi paketash kontrabandë, peshore elektronike, çipsa, monitorë për lojëra fati, granata, radio policie dhe sende të tjera.
Janë sekuestruar 3 laboratorë, një për kultivim të bimëve narkotike me llamba dhe dy për teste të falsifikuara dhe ushtrim veprimtarie pa licencë e kasë fiskale; janë sekuestruar edhe llamba elektrike dhe aksesorë të tjerë, mjete dentare e laboratorike.
Janë evidentuar 42 raste të krimeve mjedisore, me 41 persona të proceduar dhe 2 të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 11 raste të organizimit të lojërave të fatit, me 10 persona të arrestuar, 8 të proceduar dhe 2 të shpallur në kërkim.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 51 raste, me 24 persona të arrestuar, 32 të proceduar dhe 5 të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 31 raste të dhunës në familje, me 16 persona të arrestuar, 15 të proceduar dhe 3 të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 48 raste, me 6 persona të arrestuar, 41 të proceduar dhe 4 në kërkim.
Janë evidentuar 5 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, me 2 persona të arrestuar dhe 3 të proceduar.
Policia Rrugore:
Në fushën e qarkullimit rrugor: janë pezulluar 404 leje drejtimi, nga të cilat 300 për shpejtësi tej normave të lejuara, 85 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 19 për qarkullim në sens të kundërt.
Janë arrestuar 78 drejtues mjetesh, nga këta: 48 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 26 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 4 për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, me pasoja për jetën. Janë vendosur 16.110 masa administrative.
Gjithashtu, janë goditur 8 raste të korrupsionit aktiv ndaj punonjësve të Policisë.
Policia Kufitare: Gjatë javës janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 32 persona, nga të cilët 12 janë arrestuar, 18 janë proceduar dhe 2 janë shpallur në kërkim.
Janë kapur 9 persona në kërkim, nga të cilët 6 në kërkim kombëtar dhe 3 në kërkim ndërkombëtar.
Janë proceduar 13 persona për kalim të paligjshëm të kufirit, janë arrestuar 6 persona për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, si dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për trafikim të automjeteve.
Janë goditur 10 raste të falsifikimit të dokumenteve, për të cilat janë arrestuar 6 persona dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë. Gjatë një jave, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar kanë hyrë dhe kanë dalë 244.540 shtetas shqiptarë e të huaj, si dhe 91.048 automjete.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët, për besimin dhe mbështetjen, dhe i siguron edhe një herë se Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e fokusuar për të parandaluar dhe goditur krimin, në veçanti krimin e organizuar, duke bashkëpunuar me të gjitha agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe për t’u ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor.
Në këtë kuadër fton sërish qytetarët për të denoncuar në 112 e në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
/b.h