Manipulimi i zgjedhjeve nëpër shoqatat rajonale ka bërë që UEFA të sjellë mision monitorimi në Tiranë. Delegacioni i UEFA-s, me mision monitorimin e procesit zgjedhor në Federatën e Futbollit, nisi punën këtë të hënë.
Nisur nga ky shqetësim UEFA dërgoi në Shqipëri një delegacion ekspertësh të cilët mbërrin këtë të hënë për të nisur menjëherë nga puna. Në përbërje të këtij delegacioni janë Luca Nicola (Shef i qeverisjes së federatave anëtare në UEFA), Luka Zajc (Shefi i Çështjeve Korporative) dhe Yann Hafner (Ekspert i çështjeve statutore dhe rregulloreve).
Tre zyrtarët mbërritën nga Zyrihu në zyrat e FSHF-së, ku janë njohur me zhvillimet e fundit dhe kanë kërkuar informacion të imtësishëm për proceset zgjedhore në shoqatat rajonale, të cilat kanë paditur Armand Dukën për manipulime dhe trukim të rezultatit, me qëllim paracaktimin e rezultatit për Armand Dukën.
Në ditët e qëndrimit në Shqipëri, pasi të njihet me të gjitha problematikat, pretendimet e palëve dhe të shqyrtojë dokumentacionin e procesit zgjedhor, misioni monitorues i UEFA-s do të përgatisë një raport të detajuar, i cili do t’i paraqitet Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin, kryeministrit Edi Rama, si edhe FSHF-së.
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar zgjedhjet e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit për Shoqatën Rajonale të Tiranës, duke i cilësuar ato të manipuluara.
Gjykata e Tiranës ka njohur asamblenë e thirrur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, dhe ka regjistruar Eduard Prodranin si drejtues të Shoqatës Rajonale të Tiranës.
Në vendimin e saj, Gjykata i ka dhënë të drejtë kryebashkiakut Veliaj duke njohur manipulimet e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.
/b.h