Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një intervistë për radion britanike “Times Radio”, ka thënë se Kosova është thellësisht e shqetësuar për ngjarjet që po zhvillohen në Ukrainë dhe se Rusia po angazhohet edhe për destabilizmin e Kosovës.
“Në përgjithësi po përdorë Serbinë si satelit të saj, përmes bashkëpunimit ushtarak, stërvitjeve ushtarake, donacioneve ushtarake, bashkëpunimit ekonomik dhe thjesht duke shtyrë përpara mënyrën e të menduarit dhe veprimit rus, që ka destabilizuar vendet e tjera në rajon, të cilat janë duke u përpjekur të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe NATO. Rusia dhe Serbia janë duke u munduar të shkatërrojnë çdo vlerë të Perëndimit, të ndërtuara në këtë rajon me shumë investime, sakrifica dhe punë”, shprehet Osmani.
“Synimi ynë është t’i bashkohemi NATO-s, dhe po bëjmë përpjekje për këtë, si vendi me popullin më pro NATO në botë”, tha Osmani.
Osmani po ashtu shprehu mbështetjen për popullin ukrainas si dhe mbështetjen e plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi.
Tutje, Osmani tha se në Ukrainë po ndodh edhe mobilizimi ushtarak rreth kufirit, por edhe ai digjital përmes përhapjes së dezinformatave.
“Në fakt kjo ndodh në mënyrë fizike për sa i përket mobilizimit ushtarak rreth kufirit, ashtu edhe në mënyrë digjitale, me një përhapje sistematike të deainformatave. E vërteta është që Ukraina është një vend i lirë, i pavarur dhe i takon popullit të lirë e demokratik të Ukrainës që të marrë vendime për të ardhmen e tyre”, theksoi Osmani gjatë intervistës për radion britanike.