Ndërsa ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u dënua me 3 vjet e katër muaj, më e rëndësishme se ky vendim është ndikimi që ka sjellë në politikën shqiptare. Nga fundi i pandëshkueshmërisë të politikanëve, pranimi se reforma në drejtësi ka nisur rezultatet e deri te ndarja një herë e mirë e drejtësisë nga politika.
Nga Roland Qafoku
Më shumë se sa 3 vite e katër muaj burg si dënim, ajo që ka mbetur e fiksuar në memorien e shumicës së shqiptarëve mbrëmjen e të premtes ishte fraza e avokatit Maks Haxhia: Visi, çoji dy paketa, tani! Çdo mik, bashkëpunëtor dhe i afërm i Saimir Tahirit nuk do donte ti dëgjonte ato fjalë. Të thëna live para kamerave nga avokati ndërsa klienti i tij ishte në qeli, kanë bërë të mbajnë frymën jo pak politikanë, ministra, deputetë e drejtorë. Në Shqipëri ka ndodhur ndodhur ajo që disa vite më parë as që mendohej. Një nga njerëzit më të pushtetshëm në vend, më të vlerësuar në qeverinë socialiste sidomos pas aksionit pozitiv në Lazarat dhe ministri simbol i mandatit të parë të Edi Ramës, përfundoi në qeli. Kaq mjafton që në politikë të pllakoste heshtja. Një heshtje që do të thotë se dënimi i ish-ministrit të Brendshëm ka nisur të ndikojë dhe do të ndikojë edhe në në ardhmen në politikën shqiptare në atë formë saqë tashmë me reformën në drejtësi nuk mund të tallet kush dhe nuk mund ta marrë dikush lehtë. Që pas këtij dënimi, të korruptuarit, të fortët dhe ata që kanë abuzuar me ligjin ndjehen më të dobët. Janë të paktën 10 konkluzione që dalin nga ku dënim.
Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri sjell fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipërinë e tranzicionit. Në një vend që për 32 vjet ishte çimentuar ideja se asnjë pushtetar, zyrtar i lartë, ministër e kryeministër nuk prekej nga drejtësia kjo është një fitore e madhe e drejtësisë. Unë futem tek ata që mendoj dhe besoj se nuk është Saimir Tahiri ai që duhet të kthehej në simbolin e ndëshkueshmërisë. Pavarësisht se vendimi nuk komentohet, në Shqipërinë e këtyre më shumë se 3 dekadave ka ministra, kryeministra, deputetë, kryebashkiaktë, drejtorë e funksionarë që kanë bërë krime dhe kanë vjedhur me lopatë arkën e shtetit dhe janë shumë herë më të rrezikshëm se Saimir Tahiri. Megjithatë ndëshkimi qoftë edhe i një ministri nga më të pushtetshimit është një “the end” për të gjithë ata që kanë menduar se në jetën e tyre drejtësia u vinte anash edhe pse kanë abuzuar hapur dhe pa asnjë kokëçarje nga abuzimet që kanë bërë.
Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm të Saimir Tahiri është fitorja e parë e madhe e bastit të drejtësisë së re. Pas këtij vendimi institucionet e dala nga refroma në drejtësi duken më të fortë dhe më të sigurtë në atë që u projektua 6 vjet më parë kur më 22 korrik 2016 në parlament kur u miratua me unanimitet ligji përkatës me 140 vota. Jo më kot, ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe përfaqësuese e shtetit që cilësohet si kumbar i reformës së drejtësisë në Shqipëri, pak orë pas vendimit të gjykatës shkroi në facebook: “Nxisim institucionet e gjyqësorit që të vazhdojnë të tregojnë se askush, pavarësisht partisë, pozitës apo pasurisë, nuk është mbi ligjin. Jo më pandëshkueshmëri”. Janë 23 fjalë me vlerën e një studimi, por që nënkuptojnë aq shumë sa akoma mund ti përmblidheshin edhe me një fjalë: Filloi.
Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ka sjellë një pështjellim dhe frikë në radhët e politikës sa kurrë nuk ka ndodhur më parë. Si majtas dhe djathtas, e premtja e 4 shkurti të këtij viti ka qenë një nga ditët e këqia për politikanët e zhytur në llumin e antiligjit. Jo vetëm ata që janë me çështje penale në prokurori dhe gjykatë, jo vetëm ata që nuk janë më në pushtet por në veçanti ata që gëzojnë ende postet ministrore dhe kanë futur duart në buxhetin e shtetit dje janë ndjerë më të frikësuar se kurrë. Në fakt kjo është ndjerë edhe te mungesa e reagimeve. A e vutë re që sa pak ose aspak kishte deklarime pas dënimit të Tahirit? Thjesht politikës i ka hyrë frika deri në palcë. Kanë të drejtë të ndjehen ashtu ata që falë detyrës së shtetit u gdhinë milionerë dhe sot gëzojnë paratë e vjedhura pa u hyrë gjemb në këmbë.
Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri pritet të hapë kutinë e Pandorës për të gjithë ata bashkëpunëtorë të tij që u bënë pjesë e abuzimeve gjatë koëhs kur ai ushtroi detyën. Ata që krekosesin dhe fryheshin si gjel se ishin miq të tij, se ishin të sigurtë por deri sot nuk i ka gjetur gjë, mund të pasojnë Tahirin në qeli. A mund atë bëjnë të qetë gjumin ata që dhanë dhe morën me të? Pak besohet kjo. Të dhënat flasin se vërtetë procesi përfundoi me Saimir Tahirin, por nuk ka mbaruar me ata politikanë që e mbështetën atë dhe e shfrytëzuan atë. Sado i fuqishëm të ishte Saimir Tahiri, asgjë ai nuk mund ta ketë bërë vetëm.
Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri konfirmoi edhe një herë se ministri i Brendshëm është posti më i viktimizuar në Shqipëri. Mes 64 ministrave të Brendshëm në historinë e shtetit shqiptar, të rrallë janë ata të cilave nuk u ka hyrë gjemb në këmbë. Jemi dëshmitarë pas vitit 1990 të ministrave që janë arrestuar për shkak të detyrës së tyre si Perikli Teta, Halit Shamata, Hajredin Shyti, të atyre me çështje panele të hapura si Lulzim Basha, Igli Toska, Belul Çelo, Gramos Ruçi, apo që janë deniguar politikisht nga kundërshtarët politikë si Sandër Lleshaj, Fatmir Xhafaj, Spartak Poçi, Luan Rama, Bashkim Kopliku. Nisur nga kjo nxjerrim konkluzionin se detyra e ministrit të Brendshëm në Shqipëri është një minë me sahat për këdo që e ushtron këtë detyrë për shkak të informacionit dhe pushtetit që ka ky post por edhe për fuqinë politike që jep kjo detyrë. Prandaj ministri i Brendshëm është më i sulmuari, anatemuari dhe në fund bëhet vitkimë.
Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri pritet të sjellë frenim të abuzimeve me detytrën e shtetit. Ka një postulat në drejtësi që kur dënohet dikush parandalohet një abuzim tjetër. Tashmë ai pushtetar, ministër por edhe kryeministër qoftë nuk mund të hedhë një firmë sepse ashtu i kërkohet apo ashtu janë rrethanat. Dënimi i Tahirit padyshim do sjellë frenim të abuzimit me detyrën. Dënimi i tij është padyshim parandalimi më i mirë për këdo që mban një detyrë në shtet dhe që mund të korruptohet dhe abuzojë.
Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit do sjellë vërtetë pakënaqësi nga politika, veçanërisht nga opozita por kurrë ajo nuk mund të tregohet e pëkënaqur si më parë. Kemi patur jo vetëm një mosbesim por edhe një platformë të qartë për ta kundështuar refomën në drejtësi nga politikanë të veçantë. Por aktualisht me arrestimet dhe dënimet e fundit reforma në drejtësi nuk mund të ketë më armiqtë e saj në bllok. Goditja e shumë grupeve kriminale, arrestimet e ish-ministrave dhe kryetarëve të Bashkive, janë goditje të drejtësisë që as që mendoheshin gjashtë vite më parë.
Dënmimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri do sjellë fuqizimin e institucioneve të drejtësisë saqë pushteti i gjyqësorit do të konturohet vërtetë si një pushtet në kuptimin e fjalës. Në një Shqipëri që gjyqësori ishte i kapur nga politika, tashmë do të thotë që askush nuk mund ta intimidojë, të ndikojë apo edhe ta diktojë atë.
Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri do ndikojë në mënyrën e sjelljes ndaj drejtësisë në të dy kahet politike. Në Partinë Socialiste dhe në Partinë Demokratike po ndjehen ethet e frikës së madhe nga drejtësia. Sigurisht që PS ka të drejtë të mbajë flamurin e reformës në drejtësi. Por ajo kurrë nuk ka të drejtë atë privatizojë këtë reformë e aq më keq të mos ketë frikë nga kjo reformë. Po ashtu edhe në krahun tjetër. Kemi një PD që kur i intereson e sulmon reformën në drejtësi dhe kur nuk i intereson depoziton padi në SPAK për abuzime që ata pretendojnë se janë bërë me arkën e shtetit. Zyrtarisht PD duhet ta ndryshojë qendrimin ndaj reformës në drejtësi dhe të heqë dorë nga sulmet e llojit e ka kapur Rama dhe njerëzit i dënon Rama. Arrestimi dhe denimi i disa eksponentëve të PS dhe të pushtetit të saj duhet të jetë një kambanë e fortë alarmi edhe për opozitën e sotme që ka qenë dje në pushtet se asnjë krim apo korrupsion i bërë në të shkuarën mund ta kalojë pa u ndëshkuar.
Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri do ndikojë padyshim edhe në raportete e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Kjo pritet të sjellë padyshim përmirësim të vlerësimeve ndaj Shqipërisë sidomos të luftës ndaj krimit dhe politikanëve. Nuk është e tepërt të themi se arrestimet dhe dënimet e fundit mund të ndikojnë jo pak në hapjen e negociatave për anëtarësim me BE.