Teuta-Laçi ka përfunduar me rezultatin 2-4, teksa durrsakët kanë arritur të kalojnë të parët në avantash me anë të Albano Aleksit në minutën e 22-të të takimit.
Laçi tenton të barazojë vlerat vetëm 6 minuta pas me Mazrekaj, por Qirko arrin të ndalojë sulmin e bardhezinjve, ndërsa goli i barazimit do të vinte në minutat shtesë të pjesës së parë. Autor ishte Ardit Deliu i cili barazoi rezultatin për të dërguar kështu skuadrat në barazim në dhomat e zhveshjes.
Pjesa e dytë nisi me kontestime, ku në 61’ një rast për penallti pas një ndërhyrjeje ndaj Mazrekaj bëri që arbitri të shkojë ta vërtetojë rastin në VAR.
11-metërsh për Laçin që Guindo u tregua i saktë përballë Qirkos, duke kaluar kështu kurbinasit në avantash.
Në minutën e 73, Laçi mendoi të mbyll llogaritë e ndeshjes, teksa shënon sërish Guindo, i cili shfrytëzon një krosim të ardhur në zonë, për të dërguar topin për herë të tretë në rrjetë.
Teuta mënjeherë rihap takimin. Rubin Hebaj debuton me gol te durrsakët, pas një krosimi të ardhur nga goditja e dënimit, sulmuesi shkodran gjuan saktë me kokë dhe dërgon topin në rrjetën e Dajsinanit, duke çuar shifrat 2-3.
Ardit Deliu 90+6 shënon një gol spektakolar me një goditje perfekte nga distanca, duke mbyllur llogaritë e ndeshjes. Spektakolar mesfushori, që ashtu si Guindo, bën dopietë në sfidën e sotme, teksa ka vulosur shifrat 2-4.
Një fitore kjo për skuadrën e Mirel Josës, që “blindon” në këtë mënyrë edhe vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, ndërsa djemtë e detit kanë harruar të fitojnë, pasi kjo është humbja e katërt në 4 ndeshjet e fundit.
Sfida tjetër mes Partizanit dhe Kastriotit është mbyllur në “paqe”. Krutanët e Emiliano Çelës frenojnë në këtë mënyrë demat e Dritan Mehmetit.
Pjesa e parë mes demave dhe krutanëve ishte pa shumë raste me skuadrat që ishin të përqendruara në mesfushë pa rrezikuar portat kundërshtare.
Edhe pjesa e ditë nisi e qetë por me Partizanin që herë pas here mundohej të surprizonte krutanët por pa mundur të rrezikonte.
Një ndeshje pa shumë histori kjo mes Partizanit dhe Kastriotit, me krutanët që kthejnë me “këmbë në tokë” të kuqtë dhe nga ana tjetër i dërgojnë një sinjal skuadrave të tjera se Kastrioti do tentojë deri në fund mbijetesën.