Në 16-vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, djali i tij, Mendimi, tregon se si familja e mori vesh se Presidenti ishte i sëmurë me kancer. Dhurata që e mori nga qeveria Italiane, qëndron ende në oborrin e shtëpisë së presidentit të parë të Kosovës.
Ndërkaq në katin e dytë të objektit që e shfrytëzoi nga viti 1993, u realizuan takime dhe negociata tejet të rëndësishme për vendin. Por, pse preferoi këtë ambient në vend të Zyrës së Presidentit tek Kuvendi i Kosovës? “Kuvendi i Kosovës i ka zgjuar një si të them, një kujtim jo të mirë.”, tha i biri.
I njohur si figurë paqësore, Rugova mori dhuratë fotografinë e komandantit legjendar të UÇK-së. Pak metra më tej është edhe zyra e Presidentit në rezidencën Presidenciale të Ibrahim Rugovës. Aty ka fotografi të shumta të takimeve mes tij dhe politikanëve më të rëndësishëm të kohës.
Duke luftuar sëmundjen me gjithë forcën e tij, Mendim Rugova tregon se si ish-presidenti i kaloi ditët e fundit të jetës së tij. “E ka pasur shpresën se po bëhej mirë dhe që ti vazhdonte bisedat që kanë pasur edhe në Vjenë. Fjalët e tij të fundit ishin: Mirë jam se do të shkoj në Vjenë”, theksoi i biri.
Edhe pse u mungon shumë, familja e ish-presidentit është e lumtur që Kosova është e pavarur edhe për shkak të punës së babait të tyre.