Nga Artur Ajazi
Deri tani, ka zero shanse, që mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, të ketë një normalizim marrëdhëniesh të përkohshme për zgjedhjet e pjesshme vendore. Debatet dhe deklaratat e fundit,flasin për tensionim të skajshëm mes dy pretendentëve për kreun e Partisë Demokratike. Por një gjë është e sigurtë, emrat që do të dalin nga Komisioni Rithemelimit (në rast se pranohen nga KQZ) dhe Partia Demokratike, do të testohen nga vota e bazës. Gara mes Berishës dhe Bashës, në 6 Mars, do të zhvendoset në bazën e partisë. Ajo do të përcaktojë fatin e mëtejshëm të njërit apo tjetrit. Deri tani, takimet e foltores treguan se Berisha ka me vehte “shumicën” e anëtarësisë, ndërkohë që nuk kanë munguar incidentet edhe në takimet që Basha po zhvillon së fundi me mbështetësit e tij. Në situatën ku ndodhet realisht ajo parti, është e pamundur të thuash, se do të fitojë ndonjë prej 6 bashkive ku do të votohet në 6 Mars.
Nga sot deri ditën e votimit, beteja mes dy grupimeve në PD do të fokusohet tek akuzat dhe kundërakuzat mes Berishës dhe Bashës, një klimë aspak e favorshme që do ti sillte humbje dhe thellim të përçarjes në kampin opozitar. Nga ana tjetër, shihet se aleatët e larguar nga Basha pas 25 Prillit, po tentojnë ti afrohen Grupimit të Rithemelimit të PD, pasi rëndësi ka jo vetëm emri i kandidatit, por edhe numri i votave nga anëtarësia. Basha që deri para 9 Shtatorit 2021 deklaronte se “Berisha ka merita të padiskutueshme në PD”, sot i është kthyer një teze tjetër, ku thelbi mbetet “ti kthehemi të ardhmes, të lëmë pas të shkuarën”. Por betejat e deritashme elektorale të tij kanë rezultuar me humbje, edhe pse kanë patur si imazh emrin dhe figurën e Berishës.
Ndaj edhe beteja e afërt e zgjedhjeve të pjesshme lokale duket si një humbje e paralajmëruar e PD së përçarë me kryetar Lulzim Bashën. Një gjë tjetër që e mban të pamundur mendimin për një “ujdi” elektorale mes dy grupimeve rivale në PD, mbetet kundërshtia e njerzve të afërt të Bashës. Ata deklarohen aktualisht më rradikalë (si në rastin e Gjekmarkajt) se Luli në disa raste, kur shprehen se “është e pamundur të ulemi me Berishën, pas dhunës së 8 Janarit”. Nga ana tjetër ish-aleatët e Lulzimit qysh tani po shprehen se “PD e ka të pamundur ti fitojë zgjedhjet e pjesshme lokale, është e përçarë në bazë”. Atëhere si mund të shpresojë Basha për fitore, kur në zgjedhje pritet të hyjë me një parti të ndarë në dysh, një anëtarësi që nuk është e qartë për emrin e kryetarit partisë, dhe një Grupim Rithemelimi që deklaron se “do të kemi emrat tanë në çdo bashki për zgjedhjet e 6 Marsit”.
Një humbje e re në këto zgjedhje për Bashën, natyrisht është një arsye më shumë për të kërkuar largimin e tij nga Grupimi Rithemelimit partisë, dhe një pamundësi e tij për tu justifikuar para anëtarësisë. Zgjedhjet e 6 Marsit, pritet të jenë beteja që do të tregojë nga shkon vota e bazës në Partinë Demokratike, dhe një rast i mirë për ti thënë përfundimisht “go home” Berishës ose Bashës.