Zgjedhjet e 6 marsit do të jenë testi i parë i mbështetjes që Sali Berisha dhe lëvizja e tij kanë tek qytetaret; por njëherësh edhe perplasja e parë me Lulzim Bashën.
Në kushtet kur sigla e PD i takon Bashës; Komisioni i Rithemelimit ka zgjedhur si strategji për garën në 6 bashki; kandidimin me një koalicion. Anëtari i Komisionit të Rithemelimit Ivi Kaso shpjegon për Vizion Plus se deri të shtunën përfundojnë negociatat me aleatët për garën e 6 marsit.
IVI KASO / KOMISIONI I RITHEMELIMIT:
“Jemi në kontakt me të gjithë ata që garuan në zgjedhjet e fundit lokale kundër PS dhe kundër Edi Ramës, me të gjithë ata që janë në opozitë natyrale me qeverinë dhe me keqqeverisjen dhe jemi konfidentë dhe besimplotë që shumë shpejt, brenda pak ditësh; të nesërmen ose të pasnesërmen të kemi një përfundim me sukses të plotë të negociatave me secilin aleat.”
Në këtë betejë të parë zgjedhore, Berisha ka vendosur të aplikojë primaret duke iu dhënë të drejtën demokratëve të përzgjedhin kandidatët për Bashkinë e Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Lushnjes, Rrogozhinës e Vorës.
“Gjithë degët e PD ditën e sotme janë të angazhuara për të organizuar brenda fundjavës tjetër, sepse data e përfundimit të procesit është data 30 janar; procesin e evidentimit të kandidatuirave të cilat do të garojnë, përcjelljen e tyre pranë Komisionit të Rithemelimit i cili do të verifikojë plotësimin e kushteve statutore; dhe më pas rikthimin e tyre në bazë dhe procesin e votimit sipas parimit një anëtar një votë, në 30 janar.”
24 janari është afati për paraqitjen e kandidatëve që duan të garojnë në këto bashki, komisioni do t’i verifikojë nëse ata plotësojnë kriteret e nevojshme dhe në datën 30 janar demokratët do të perzgjedhin vetë kandidatin për secilen bashki.
/a.r