Nga Dritan Hila
Zgjedhjet e pjesshme lokale që pritet të mbahen, nuk janë zgjedhje ku konkurrojnë kandidatët e Ramës me opozitën, pasi përçarja e saj, nuk ia prish gjumin pushtetit. Elektrizimi vjen pasi ky është një test force për fraksionet e opozitës.
Me shumë gjasa në zgjedhje do të kemi katër konkurrentë, ku tre janë ata tradicionalë me sigla tashmë të njohura dhe një të katërt që do të jetë lista e Sali Berishës.
Si do formalizohet kjo listë mbetet për t’u parë. Ndoshta do të kemi kandidatë të pavarur ose, në formë partie, që është më e pamundur pasi Berishës pavarësisht rezultatit do t’i duhet të vazhdojë betejën për emrin e partisë.
Por njerëzit e Berishës do të jenë me siguri në vendin e atyre që do të konsiderohen në numrin e votave që do të marrin.
Kjo është një provë zjarri për të dy mëtonjësit e PD.
Është për Berishën. Pretendent se ka shumicën e demokratëve me vete, do t’i duhet që këtë ta vërtetojë me një test elektoral dhe jo me grumbullime dhe votime të organizuara nga ai vetë. Shkurtësia e periudhës së kohës mes shpalljes së zgjedhjeve dhe votimit e bën që vota të jetë tërësisht e pastër për Berishën. Nëse kandidati i Berishës merr më pak vota se kandidati i Bashës, mund të thuhet se lëvizja e Berishës vdiq akoma pa lindur. Si zgjedhje lokale edhe këtu ka vlerë figura e kandidatit, por jo si zakonisht, pasi këto janë zgjedhje më shumë politike se lokale. Ndaj Berisha do punojë fort.
Edhe Basha ka të njëjtin problem. Por me një ndryshim të vogël. Edhe nëse nuk fitojnë kandidatët e tij më shumë vota se ata të shemrës në PD, ai ka qetësinë e pasjes së simboleve të PD dhe shpreson që në të ardhmen të afrohen pranë tij edhe ata që janë larguar. Humbja do ju tregojë demokratëve se fitorja arrihet vetëm të bashkuar dhe brenda një sigle zyrtare. Por nuk mund të humbë në mënyrë katastrofike pasi atëherë rryma do të shkojë në drejtim të Berishës me të cilin nuk kanë për të fituar ndonjëherë. Megjithatë i mban shpresa se nën udhëheqjen e tij do të mundin Ramën dhe më pas imperializmin amerikan.
Kjo është një provë edhe për Metën. Por ky e ka më të thjeshtë. Vetëm do të konstatojë nëse LSI është shkërmoqur apo jo.