Nga Preç Zogaj
Përjashtimi i Sali Berishës dhe i grupit të ngushtë rreth tij nga Partia Demokratike kaloi nëpër dy ngjarje përcaktuese, që krijuan dhe vulosën ndarjen pa kthim BashaBerisha. Ngjarja e parë është vendimi i Bashës i 9 shtatorit për pezullimin e Berishës nga grupi parlamentar për shkak të shpalljes së tij non grata nga SHBA, vendim të cilit Berisha iu kundërpërgjigj me lëvizjen e tij shpaguese për largimin e Bashës nga kreu i Partisë Demokratike.
Ky është momenti kur palët u vendosën në skajet e litarit. E vetmja hapësirë reale kompromisi mes tyre ishte ose tërheqja e Bashës nga vendimi i pezullimit, ose tërheqja e Berishës nga lëvizja e tij.
Basha mund të mbante shënim efektin bumerang të vendimit të tij, nëse një efekt i tillë do të verifikohej në rrugë ligjore, tej imazheve dhe trukeve mediatike. Por nuk kishte si tërhiqej. Së pari, sepse përjashtimin e Berishës e kishin kërkuar me ngulm përfaqësuesit e qeverisë amerikane, duke paralajmëruar publikisht se SHBA do të ndërpriste marrëdhëniet me Partinë Demokratike nëse ajo mbante në grupin e vet zotin Berisha. Siç është bërë e ditur, Basha dhe Berisha kishin diskutuar disa herë gjatë muajve të verës për situatën delikate që ishte krijuar për PD-në, por nuk kishin gjetur gjuhën.
Si përfundim, midis rivendosjes së Partisë në kursin e marrëdhënieve të ngushta me SHBA dhe izolimit të saj nga aleati strategjik, Basha zgjodhi të parën. Kjo zgjedhje strategjike u mbështet edhe nga një fakt tjetër politik me rëndësi në rrafshin moral: vetë PD kishte mbajtur standardin e përjashtimit nga politika dhe funksionet shtetërore të personave të shpallur më parë non grata.
Ajo nuk mund të përshtaste një standard të kundërt tani që i godituri ishte ish-kryetari saj. Kjo do ta ekspozonte si hipokrite dhe do ta bunkerizonte si parti antiamerikane. Nga kjo pikëpamje, Basha tregoi lidership duke e mbrojtur pa u lëkundur vendimin e tij. Koha tregoi se i kishte patur në përqindje më së të mjaftueshme numrat për t’u fshehur prapa tyre po të donte.
Berisha, gjithashtu, posaqë e ndau mendjen t’i kundërvihej me një lëvizje brenda partisë vendimit të SHBA-ve, duke i sfiduar me projektin e marrjes së drejtimit të PD-së, dhe posaqë po gjente ndjekës të mblidheshin rreth tij e ta dëgjonin, nuk e mendoi më tërheqjen.
Në ecurinë e saj tre-katërmujore, beteja që Berisha i dha Bashës doli qartazi jashtë kornizës së diversitetit të mendimit apo luftës brenda llojit. Dhuna verbale, etiketimet, gjuha linçuese, pandehmat, shpifjet, fantazmagoria, të menduarit konspirativ, të menduarit me pretenca prokuroriale që në vend të fakteve apo logjikës elementare referojnë bindje dhe fiksione të ngurta, paraqitja për lavazh truri e shtetit amerikan si një shtet i degraduar, ku vendimmarrja e institucioneve merret zvarrë nga një prej miliarderëve të shumtë të atij vendi të madh- të gjitha këto shpalosen më qartë se kurrë dy kultura, dy mendësi dhe dy kredo politike antagoniste në PD.
Ndjekja në vijim e një rruge dhe procedure antistatusore për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshme të PD-së erdhi në logjikën e shkarkimit paraprak, pa u mbledhur akoma, të Bashës dhe të delegjitimimit paraprak të forumeve të ligjshme të Partisë. Produkti i procedurës antistatuore do të ishte nga fillimi në fund i paligjshëm në raport me statutin në fuqi. Sali Berisha e dinte këtë. Ai e kishte impostuar tashmë betejën e tij si betejë force.
Ngjarja e dytë ishte protesta e tetë janarit. Berisha me të tijtë nuk e fshehën kurrë se kjo protestë do të ishte e dhunshme. Ultimatumi i datës 23 dhjetor i la afat Bashës të largohej me të mirë nga zyra e tij deri në datë 5 janar. Në të kundërtën do të nxirrej me forcë nga anëtarësia tri ditë me vonë. Ata mendonin se kishin të drejtë ta bënin këtë duke referuar të dhënat e referendumit partizançe të 18 dhjetorit, pa asnjë element sigurie dhe pa vëzhgim të ndonjë pale tjetër mbi palët. Gjuha e dyfishtë e Sali Berishës, ku në një anë predikonte një protestë paqësore, në anën tjetër përgjigjej “e di anëtarësia”, gjuhë të cilën turma e ndërsyer e kupton drejt si urdhër sulmi, e kurdisi tetë janarin si protestë të dhunshme në çdo element të saj.
Ajo nisi si e tillë para orës kur ishte caktuar fillimi i saj dhe vazhdoi si e tillë deri në fund. Përanash Sali Berishës u panë të parakalonin live grupet e sulmit me mjetet e tyre goditëse, u panë live skenat e thyerjeve, rrëzimeve dhe shembjeve të dritareve e dyerve. Çfarë priste ai tek shihte dhe informohej për këto skena, të cilat në përparimin e tyre zor se do të prodhonin diçka tjetër veç konfrontimeve dhe përleshjeve brenda në seli.
Mund të diskutohet pa fund për episode të veçanta të gjithë kësaj ngjarjeje. Mendimet janë të ndryshme, sekush ka këndin e tij të shikimit, por në një pikë nuk mund të mos jemi në një mendje: Në ngjarje të tilla të një dinamike të jashtëzakonshme episodet prodhojnë njëri-tjetrin. Ato nuk mund të gjykohen drejt nëse i marrim si episode të shkëputura, jashtë kronologjisë që u jep jetë. Ashtu si historia pa data është një përrallë, edhe episodet në shkapërcim të kronologjisë e shtrembërojnë të vërtetën.
Logjika, ligji dhe urtësia njerëzore mbajnë përgjegjës pikësëpari ata që sulmojnë dhe jo ata që sulmohen. Fotografia e madhe e dhunës është vetë pamja e leskëruar e selisë së Partisë Demokratike. Ajo do të kujtohet gjatë si një vepër e Sali Berishës. Natyrisht, ligji vepron kundër përdorimit shproporcional apo të pajustifikuar të mjeteve të vetëmbrojtës kur verifikohen të tilla. Aktet e dhunës që kanë pësuar disa demonstrues duhet të sqarohen kush i ka bërë dhe të ndëshkohen sipas ligjit. Por kjo nuk shërben për të venë pasojën para shkakut.
Unë nuk mund të them sot sa për qind e anëtarësisë dhe votuesve demokratë janë me Berishën, sa me Bashën dhe sa me asnjërin prej tyre. Këtë do ta tregojë koha, zhvillimet. Por vendimi që mori kryesia e Partisë Demokratike për përjashtimin e Sali Berishës sanksionoi një ndarje të pashmangshme në PD për gjithë sa ka ndodhur nga 9 shtatori e këndej. Tetë janari ishte pika e ujit që derdhi kupën. Në një kuptim me të gjerë, ky vendim është ose mund të jetë- edhe për ketë do të flasë koha- një ndarje me berishizmin si shprehje e drejtimit autokratik nga Sali Berisha të Partisë Demokratike dhe pushteteve që ka marrë prej saj duke e konsideruar atë si pronë. Pavarësisht se themelimi i saj është vepër e një grupi të madh studentësh e intelektualësh të Lëvizjes së Dhjetorit ku vetë Berisha ka pasur sigurisht një rol të vijës së parë që i është njohur.
Në një formë embrionale, kjo ndarje ka ekzistuar që në fillimet e Partisë Demokratike. Skemat ku ka lëvizur kjo parti në momente kyçe e kanë ushqyer dhe pohuar ekzistencën e palëve, qasjeve dhe vizioneve përjashtuese, në pamundësi objektive për të bashkëjetuar brenda një formacioni politik. Skizmat e shumta në PD në dhjetëvjeçarin e parë të saj kanë qenë në tërësi ilustrim dhe vërtetim i kësaj që po themi. Në vitin 2005, grupet bënë paqe për hir të rrotacionit të pushtetit. Bashkimi u mbështet në mendimin e drejtë se të gjithë kishin humbur e do të vijonin të humbin të ndarë, sikurse në prerogativën se Berisha kishte ndryshuar. Koha tregoi se më shumë se Berisha kishin ndryshuar ishkundërshtarët e tij të rikthyer nën hijen e tij. Ndarja apo dikotomia, për të cilën po flasim, mbeti përgjithësisht latente për shkak të qenies në pushtet, por pati gjithnjë rebelime individuale që e pohonin. Raporti autokratik i zotit Berisha me PD nuk njohu pauza as kur ishte kryetar i saj de jure, as kur dha dorëheqjen. Gjithë çfarë ndodhi me 9 shtator e prapa e konfirmon. Ndryshimi kësaj radhe ishte ky: skena u rrotullua, për herë të parë Berisha u vu në pozicionin e kontestatorëve të tij të dikurshëm.
Në organet e drejtësisë ka një betejë ligjore mes PD-së zyrtare të Bashës dhe Grupit të Rithemelimit të Berishës. Atje do të marrë përgjigje përfundimtare pyetja se kush e ka zyrtarisht PD-në. Sido që të shkojë, palët prej tani e tutje janë subjekte me vete. Ka zëra që vajtojnë fundin e Partisë Demokratike dhe opozitarizmit. Dikush ka ndjeshmëri, dikush tjetër ka dëshirë ta shohë PD-në dhe opozitën të vdekur. Përvojat e ngjashme nuk janë uniforme. Ka raste kur ndarjet kanë çuar në shuarjen e dy palëve. Ka raste kur kanë çuar në shuarjen njërës palë dhe rritjen e tjetrës. Ka edhe raste kur ndarjet kanë çuar në një shumore më të madhe votash nga mbledhja e të dyjave duke konkurruar veç e veç. Është kjo që duhet uruar.
Panorama