Mes të tjerash ai sulmoi ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa shtoi se nëse ky i fundit nuk arrestohet, do të ketë viktima.
I ftuar në emisionin “Natën e mirë dhe paç fat” në Vizion Plus, Braho tha se ka njerëz në Grupin Parlamentar të PD-së, që punojnë me dy karrige edhe për Berishën edhe për Bashën.
“Informacioni është informacion. Ka burimet e tija dhe jo në të tëra rastet bëhen publik me hollësira, por unë do të them diçka. Alibeu ka bërë mirë që nuk shkoi atje. Mos të ngrihet si gjel deti tani nga Mallakastra dhe të thotë që ishte shantazh. Se konsideratat e tjera, në daç të PD, ndaç të të tërë deputetëve të PD-së që ishin të ngujuar atje, e panë qartë aty që kishin ardhur për dhunë, terror dhe gjak. Ajo që thashë unë ishte plotësisht e saktë dhe u realizua. A do t’i hapim letrat? Sali Berisha ka njerëz në grupin parlamentar të Lulzim Bashës, të infiltruar. Punojnë me dy karrige. Në heshtje janë të Bashës dhe në heshtje punojnë për Berishën dhe atë ditë është programuar që me çdo kusht duhet të hakmerremi, të krijojmë një alibi dhe ta realizojmë. E gjithë historia politike e Berishës që nga 1991 deri më sot është ajo e vrasjeve pas krahëve. Ai ka patur ndikimin e tij, siç thotë populli “qyqja nuk i çel zogjtë në folenë e saj, por diku tjetër”, edhe ai këtë punë ka bërë. Basha e di shumë mirë që do të kishte të vrarë. Kjo e detyroi ta shihte me seriozitet dhe blindoi dyert. Bëri mirë. Sali Berisha derën e shtëpisë e ka të blinduar. Të tërë ata që bërtasin “pse u blindua?”, dyert e shtëpisë i kanë të blinduara. Kjo është arsyeja që Basha thirri kosovarë dhe gjakovarë për të mbrojtur jetën e tij. Nëse nuk arrestohet Sali Berisha, do ketë viktima. Sali Berisha është sekt vrasës. Ka krijuar sekt vrasës me njerëz të afërt, tropojanë dhe nga zona të veriut që janë kamikazë” tha ai.
Ai gjithashtu tha se disa ditë para se ta bënte këtë deklaratë u takua rastësisht me kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, ai paralajmëroi Ramën nga Vangjush Dako, prej të cilin i tha të distancohej.
“Unë kam 30 vjet në politikë. I njoh mirë të tërë, me të mira e me të këqia. Di shumë gjëra. Nuk përpiqem të bëj shantazh me këto që di unë. Unë dua që secili të korrigjohet dhe ia them edhe veç e veç, edhe troç. Biles para disa ditësh ia thashë edhe kryeministrit në një takim të rastësishëm. I thashë: Ndahu nga Vangjush Dako! Sindromi Dako është baras sindromi i hajdutit shtetëror, privat. Sindromi i një njeriu që pasi shfrytëzoi të tëra strukturat politike dhe i gllabëroi, i korruptoi, i bleu dhe në llogari të interesave të tija okulte dhe pasurore. Le që s’ka më Parti Socialiste në Durrës të themi të vërtetën, por po na merr në qafë edhe disa shtetarët tanë që vijnë dhe hanë dreka darka në Durrës me të”, tha Braho. Vizion+