Dita e djeshme rezultoi të ishte një ditë me të lënduar, të arrestuar, të alivanosur e dëme të konsiderueshme materiale.
Kjo për shkak se disa persona, kryesisht në moshë të re, të cilët, edhe përkundër thirrjes së liderëve të opozitës për mbyllje të protestës, nisën të hedhin gjësende të forta dhe koktej molotovi në drejtim të forcave të rendit dhe ndërtesës së Qeverisë tek Sheshi Skënderbeu.
Përleshjet mes protestuesve dhe policisë u zhvendosën nga qendra e kryeqytetit në lagjen “Ulpiana”, atje ku protestuesit bllokuan rrugët me kontejnerë të mbeturinave, ndërsa vazhduan ta gjuanin policinë me koktej molotovi e me gurë.
Ekipet e KTV-së dje gjatë gjithë kohës kanë përcjellë protestën në katër fronte, ndërsa në lajmet qendrore janë transmetuar pamje të përmbledhura të kësaj dite.
Në ato pamje është parë një protestues i cili i drejtohet Policisë së Kosovës me një mjet që në dorë e mban sikur të ishte armë zjarri, apo ‘shotgun’ siç e cilësuan disa media në vend.
Megjithatë, nëse i shohim pamjet origjinale në kualitet të lartë, shihet qartë se protestuesi në dorë mban një fishekzjarr të drejtuar kah forcat e rendit.
Kamerat kanë kapur edhe momentin kur shpërthen pranë policëve fishekzjarri i hedhur nga protestuesi, por që nuk është raportuar se ka lënduar dikë.
Për më tepër, ju ftojmë ta shikoni videon e shkëputur nga lajmet e mbrëmjes së KTV-së ku shihet qartë ngjarja. /Koha.net/