Blendi Fevziu ka shpjeguar arsyen e armiqësimit me ish-kryeministrin Sali Berisha, në një intervistë të gjatë dhënë gazetares Ermira Shpëtimi të gazetës Panorama. Berisha shkroi në Facebook, duke e quajtur emisionin “Opinion” si të neveritshëm, një kthesë e fortë e tij, duke ditur lidhjet e forta të dikurshme me këtë emision dhe drejtuesin e tij.
Ju e filluat sezonin këtë të enjte me disa zhvillime dramatike që po ndodhin aktualisht, si vrasjet dhe përmbytjet. Pse përzgjodhët këto dy tema për ditën që, në fakt, ju ia kushtoni politikës më së shumti?
Fjala “më së shumti” i takon një rituali të tejkaluar tashmë. Që nga fillimi i matjes profesionale të audiencës, emisioni ka pësuar një transformim thelbësor, që jo të gjithë e vënë re. Ka zbehur debatet tematike PD – PS dhe përqëndrohet më shumë te tema e ditës. Edhe emisioni i të enjtes së fundit ishte për Krishtlindjet dhe jo për politikë, sepse përkonte me atë festë. Në javën e fundit, siç edhe ju mund ta keni vënë re, ngjarja më e lexuar ishte vrasja e dy vëllezërve në Shkodër. Çdo lajm i asaj ngjarjeje tërhiqte si me magnet vëmendjen e publikut dhe provokonte numrin më të madh të komenteve nën lajm. Që në fillim të javës, ne vendosëm të merreshim me këtë ngjarje, por duke mos pasur shumë detaje që të mbanim një emision dyorësh, e bashkuam me dy ngjarje të tjera që i lidhte një fill, vrasje për motive të dobëta. Atë të Sarandës, ku humbi jetën një grua e vrarë nga bashkëshorti dhe ngjarjen e Kavajës, ku një i ri u vra për një plep. Të tria bashkë mund të mbanin një diskutim më të gjatë. Paneli u ndërtua i tillë, me psikiatër, përfaqësuese shoqatash të grave, kriminolog, gazetarë kronike dhe një specialist policie për krimet e tilla. Duke qenë nën emergjencë përmbytjesh, vendosëm ta ndryshojmë emisionin, por koha u përmirësua dhe alarmi i parë ra. Kështu që u kushtuam përmbytjeve 20 minuta dhe vijuam me axhendën. Kur ti bën një emision, duhet të kesh parasysh shikueshmërinë. Për hir të së vërtetës, mua dhe gazetarëve të tjerë nuk na intereson asgjë tjetër veç saj. Nëse shihesh, je i suksesshëm, nëse nuk shihesh ke dështuar në misionin tënd. Kjo është aksiomë e thjeshtë.
E megjithatë, politika u bë pjesë e debatit. Ish-kryeministri Berisha ka folur përsëri me gjuhë të ashpër për emisionin tuaj, duke e quajtur si njëri prej më të neveritshmëve në historinë e mediave. E prisnit një reagim të tillë nga z. Berisha, aq më shumë për një program që nuk ishte mirëfilli politik?
Po, Berisha ka pjesërisht të drejtë. Sepse 1 orë e 30 minuta përpara nisjes së emisionit, një eksponent i rëndësishëm i PD-së kërkoi me moderim që çështja e Durrësit të hapej në emision, meqenëse kishte ndodhur atë ditë dhe PD kishte reaguar. Ne nuk ishim përgatitur për këtë çështje, se ajo kishte ndodhur atë mëngjes, ndërsa paneli ishte njoftuar dy ditë më parë. E hapëm dhe 4 persona në studio dolën jashtë loje. Psikiatri nuk foli, përfaqësuesja e shoqatave të dhunës ndaj grave nuk foli, përfaqësuesi i Policisë, që nuk e dinte, po ashtu nuk foli dhe kriminologu po ashtu. Folën dy gazetarët me aq sa dinin. Ishte gabimi im që u fut ajo çështje në një debat që s’kishte lidhje me të, por duke menduar se po sillesha korrekt me një kërkesë të opozitës, me gjasë bëra gabim. Gjithsesi, këto ndodhin.
Berisha argumenton se ju kishit përzgjedhur një panel gënjeshtarësh me përjashtim të njërit që thoshte disa gjysmë të vërteta. Emisioni juaj, sipas tij, ishte në shërbim të pushtetit, duke bërë avokatin e policisë. A ishte qëllimi juaj në atë emision që të ishit në mbrojtje të Policisë së Shtetit (që në përzgjedhjen e panelit të mos kishte zëra kundër)?
Paneli është njoftuar të martën, kur vrasja ka ndodhur të enjten. Nga ta dija unë që dikush do të rrëmbehej në Durrës, do të vritej dhe pastaj unë do bëja emision që të mbroja policinë! E thashë edhe një here, paneli zgjidhet që emisioni të bëhet sa më i shikueshëm. Ashtu si edhe në gazetë, në TV mua më interesojnë shifrat. Opinionet në çdo rast do të jenë kontradiktore. Si edhe dje, kur mëria ishte si e Berishës, ashtu edhe e qeverisë. Secila mendonte se i ishte bërë diçka me hile. Qeveria, sepse u hap një temë që nuk ishte në temat e emisionit dhe Berisha që mendon se kjo u bë për të mbrojtur Tahirin. Nganjëherë më vjen të qesh shumë, kur sapo mbyllet një telefonatë ankesash me një palë, vjen telefonata e ankesave të palës tjetër. Të gjithë janë të pakënaqur. Por mua kjo s’më intereson fare. Të kënaqur apo të pakënaqur, kjo është çështje e tyre. Madje, kritikat në përgjithësi më pëlqejnë më shumë. Të gjitha kritikat, të kujtdo kanë qenë, i kemi lexuar live në emision, edhe të Berishës dje. Madje, e botuam edhe në faqe. Sa herë ta bëjë, do t’ia lexoj me zë të lartë në emision live. Kritikat janë të mira, por unë nuk eci me to. Politikës i intereson loja e saj dhe kërkon të më përdorë. Kemi interesa të ndryshme. Mua më intereson shikueshmëria dhe kjo është gjëja kryesore për të cilën luftoj. Ju siguroj që kjo nuk është e mirë, por është shumë e mirë.
Berisha ju akuzon gjithashtu si censurues të deklaratave të PD-së, që të mos përmendej emri i Saimir Tahirit. Si qëndron e vërteta?
Nuk e di përse e ka fjalën konkretisht. Por dua t’ju them një gjë: për arsye të një raporti miqësor që kam pasur disa vite me Berishën, nuk do të merrem kurrë me të dhe nuk do t’i përgjigjem. Çfarëdo që të thotë dhe sado e pavërtetë qoftë. E kam bërë këtë zgjedhje, sepse më neverit sherrnaja e ishmiqve të kthyer në armiq, që është bërë kaq e zakonshme në këtë shoqëri. Nuk e kam bërë dhe nuk do ta bëja me askënd. Berisha është i lirë të më kritikojë çdo ditë. Çdo ditë do t’ia lexoj me zë të lartë dhe do t’ia postoj në opinion.al.
Zoti Fevziu, që t’i themi gjërat në mënyrë të drejtpërdrejtë, ju dhe televizioni ku punoni jeni akuzuar jo rrallë si shumë të aftë për t’i qëndruar afër dhe shërbyer çdo pushteti, aq sa keni bërë xhelozë edhe ndonjë televizion tjetër. Si janë marrëdhëniet tuaja personale me Bashën dhe të tjerë eksponentë të rëndësishëm në PD, pra ankohet për ju vetëm Berisha apo edhe të tjerë në këtë parti?
Kjo është njëlloj si t’ju lexoj unë tani ç‘është thënë për gazetën ku punoni ju apo mediat tuaja. Besoj i mbani mend. Por unë po ju përgjigjem për emisionin tim. Unë kam marrëdhënie korrekte më Bashën dhe eksponentë të PD-së. Po në fund të fundit, ç‘punë kanë marrëdhëniet e mia?! Marrëdhëniet janë personale. Kujt i hyjnë në punë?! Nëse do më pyesni, p.sh., a kam marrëdhënie me Ramën, Metën apo eksponentë të PS-së, mund t’ju përgjigjesha edhe më ashpër, thuajse FARE! Dhe as mendoj për këtë gjë. Ju shihni rrallë ministra të PS-së në studion time, shihni deputetë të palëve shumë më pak se në çdo studio tjetër. Ju mendoni që të rëndësishme janë marrëdhëniet e një gazetari me politikanët. Është e kundërta, pyesni a tentojnë të mbajnë marrëdhënie të mira politikanët me gazetarët. Në këto 25 vjet, kam parë shumë politikanë që vijnë dhe ikin. Lënë apo s’lënë asnjë shenjë. Harrohen apo përmenden aty-këtu. Unë nuk kam lëvizur nga studioja ime, ku këta kanë qenë kalimtarë, sado të fuqishëm t’ju duken ju. Ka një mit për politikanët në Shqipëri. Duken të fortë. Në fakt, shumica janë njerëzit më të dobët që kam njohur, shumë më të dobët sesa gazetarët e njohur që militojnë në këtë fushë.
A është e vërtetë se Meta dhe Rama kanë vendosur për pak kohë të mos vijnë në programin tuaj?
Rama ka qenë në tetor dhe që atëherë s’ka pasur ndonjë ftesë. Nuk e di si do të përgjigjet kur t’i vijë dita. Nga ana tjetër, prezenca e tij në “Opinion” është shumë më e paktë se sa në studio të tjera. Aq sa e detyron raporti me publikun. Meta ka refuzuar të vijë, po ashtu i hatërmbetur nga emisionet për çështjen CEZ dhe DIA. Por kjo është sërish statistikë. As e ul as e ngre audiencën dhe vëmendjen e publikut ndaj emisionit. Ndërkohë, Basha ka qenë tre herë në këto 3 muaj. Po edhe kjo nuk do të thotë asgjë. Nuk ka qenë për të ndihmuar atë, por për faktin se i është dashur emisionit në raport me aksionin e tij publik.
Çfarë bëni ju për të ruajtur disa ekuilibra politikë në emisionin tuaj dhe sa e lehtë apo e vështirë është?
Është shumë e vështirë, por kjo nuk më shqetëson më. Në fund të 2012-s dhe fillim të 2013-s pata një problem me politikanët që m’i bllokonin për të ardhur në emision. Në fillim e mora me alarm. Për fat, në atë kohë nisi edhe matja elektronike e audiencës. Nevoja më detyroi që t’i zëvendësoja politikanët me gazetarë që mbrojnë teza të maxhorancës apo opozitës. Zbulova që këta qenë më të suksesshëm sesa vetë politikanët. Dhe që atë moment nuk mendoj më për ekuilibra. Ekuilibri i vetëm është raporti numerik mes atyre që përfaqësojnë ide të kundërta. D.m.th., sot për betejën opozitare mund të ketë teza më interesante Zogaj dhe Artan Hoxha, sesa ndonjë deputet papagall i PD-së. Për maxhorancën më shumë mund të dëgjosh Lorenc Vangjelin e Andrea Stefanin, sesa personazhe të neveritshëm që vijnë në studio veç për të mbrojtur Kryeministrin dhe Metën. Njerëzve u interesojnë idetë dhe jo fytyrat që i artikulojnë ato.
Në një intervistë të disa muajve më parë, ju thatë se preferoni më shumë ekspertë sesa politikanë në panel, jeni akoma i këtij mendimi, apo kur flitet për politikë mungesa e protagonistëve jo gjithmonë është produktive?
Është e kundërta. Prania e politikanëve zakonisht i prish emisionet. Dikur mendoja të kundërtën. Sot e shoh që emisionet më të pashikueshëm janë ata me PD e PS përballë. Vijojnë recitimet, thonë pa fund akuza ndaj njëri – tjetrit dhe në fund nuk kuptohet asgjë. Kjo ishte edhe teza e publikut: nuk kuptojmë asgjë. Pa dyshim që edhe kjo ka përjashtime. Politikanët që kanë idetë e tyre janë të paçmueshëm. Flas për recituesit. Duke lexuar për këtë fenomen, zbulova se kjo gjë kishte ndodhur edhe në SHBA në vitet ’70 e në Itali deri në vitet ’80. Ekranet ishin të mbushur me politikanë. Në fillim të ’90, bashkë me testimin e pëlqyeshmërisë së publikut, filluan t’i përzenë nga studiot. Ose politikanët gjetën forma të tjera për të qenë prezent. Sot, nga Italia në Britani e nga Franca në SHBA, ju nuk gjeni politikanë që të popullojnë studiot. Jo se nuk duan, por nuk i marrin se bëjnë shumë propagandë. Dhe ulin shikueshmërinë. Kjo gjë do vijë shumë shpejt edhe në Shqipëri. Nëse jeni të vëmendshëm, në dy vitet e fundit, politikanë shumë të rëndëishëm dhe kryetarë partish me peshë nuk janë ftuar asnjëherë ditë të enjte në “Opinion”. Janë transferuar në oraret më të vona të tri ditëve të tjera. Ndërkohë, nga të gjithë ministrat e Kabinetit, vetëm nja 4 a 5 kanë shkelur herë-herë në studio. Dikur studioja ishte e mbushur me ministra, që çdo vit bënin bilancin në një emision të titulluar: “Ministrat përballë shtypit”.
Së fundi, çfarë risie rezervon “Opinion” këtë sezon?
Ka vetëm një risi: që çdo gjë që ndodh, të diskutohet në mbrëmje në studio. Pa pasur frikë dhe pa u trembur nga shantazhet. Kemi përmendur një për një të gjithë emrat e banditëve të politikës, të gjitha ngjarjet, sado delikate. Të gjitha aferat e përfolura korruptive. Besoj do të vazhdojmë sërish dhe për këtë ka nevojë që gazetarët të jenë gjithnjë më kurajozë dhe më pak të varur nga politika. Kryesorja është të shihemi. Konkluzioni im në darkë nuk është as çfarë mendon Rama, as çfarë mendon Basha apo Meta. Veç kuriozitetit, kjo gjë nuk vlen për asnjë përfundim. Konkluzioni i vetëm është grafiku i audiencës. Unë e kam raportin me publikun, politika nuk më intereson fare! Le të merret me punët e veta!
Panorama