Nga Preç Zogaj
Në organet e drejtësisë janë depozituar një numër padish e kërkesash që përbëjnë lëndën e betejës ligjore mes PD-së së kryesuar nga Lulzim Basha dhe grupit të rithemelimit të saj, të kryesuar nga Sali Berisha. PD ka bërë kallëzim në SPAK kundër disa prej anëtarëve të këtij grupi, duke i paditur penalisht për falsifikim dhe përdorim të paligjshëm të logove dhe simboleve të Partisë. PD ka depozituar ndërkaq në Gjykatën e Tiranës kërkesat për regjistrimin e ndryshimeve statusore të Kuvendit Kombëtar të muajit korrik 2021 dhe Kuvendit të jashtëzakonshëm të 18 dhjetorit 2021. Në të njëjtën Gjykatë, Grupi i Rithemelimit ka depozituar për regjistrim ndryshimet statusore të Kuvendit-mitingut të 11 dhjetorit 2021.
Nga natyra, drejtësia është më e ngadalshme se politika. Në vendin tonë kësaj diference i shtohet edhe diferenca e ndrojtjes apo e përfshirjes së drejtësisë në lojërat e politikës. Do të thotë se duke u vonuar të japë vendime, drejtësia u lë kohë përplasjeve a vetëgjyqësisë si në xhungël.
Sido që të jetë, përderisa i është drejtuar Gjykatës, Berisha duket të ngrijë mosmarrëveshjet dhe të presë verdiktin e saj final. Kjo është si një e bëjnë dy për çdo njeri me një minimum kulture demokratike apo edhe zakonore shqiptare.
Mirëpo, Sali Berisha nuk ka pritur të mbarojë beteja ligjore. Me ultimatumin e tij drejtuar Bashës për të dalë nga zyra brenda datës tashmë të skaduar 5 janar dhe me thirrjen e protestës për ta nxjerrë nga zyra me forcë në datë 8 janar, ai i ka dalë përpara Gjykatës.
Nga betejë ligjore në betejë force.
Nga përmbaruesi ligjor te përmbaruesi politik.
Nga sloganet e bukura për bashkim në diversitet te përballja “u unë, o ti”, “o ne, o ju”.
Kjo është trajektorja.
Kasandrat e ngatërresave, mendje të prishura mjaft prej tyre, biznesi i të cilëve janë rrëmuja, trazirat, përplasjet, pse jo gjakderdhja, duan t’i ushqejnë Sali Berishës psikozën e një personi që nuk ka më asgjë për të humbur përderisa është shpallur familjarisht non grata nga SHBA. Në këtë mënyrë, duan ta shtyjnë në aventurë, në një betejë ku rafsha mos u vrafsha për jetë a vdekje. Deri sot, në vizitat e tyre si palë në selinë e PD-së, Berisha me njerëzit e tij kanë qëndruar në kufijtë e legales. Me përjashtim të rastit kur një mbështetës i tyre hapi me shqelm një derë. Berisha e di shumë mirë se ka shumë për të humbur, qoftë në synimin e tij për të zvogëluar dëmet e shpalljes non grata, qoftë për faktin se çdo ngjarje e dhunshme kundër njerëzve në sulmin eventual të “anëtarësisë” për pushtimin e selisë së PDsë shkon në llogarinë e tij personale, si personi që e ka thirrur dhe e drejton ngjarjen e planifikuar të ditës së nesërme.
Që të mos mendojë njeri se po i taksim Sali Berishës një gjë të paqenë e të pathënë, po citojmë edhe një herë çfarë shkruhet në ultimatumin që grupi rithemelues i kryesuar prej tij i dorëzoi Bashës para vitit të ri: “Kërkohet nga ana juaj të merrni masat për ta jetësuar vullnetin e demokratëve duke liruar ambientet e punës së kryetarit të partisë dhe kryer dorëzimet përkatëse deri në 5 janar 2022.
Refuzimi i vullnetit të demokratëve do të detyrojë anëtarësinë të shndërrohet në përmbaruesin politik të vullnetit të saj”.
Po çfarë është përmbaruesi politik? Cili është kuptimi i përmbarimit politik që u përmbushka nga “anëtarësia”? Ky është një term me kuptim jakobin, stalinist, enverist dhe, më ngjashëm se me asgjë tjetër, një term kinez i kohës së “revolucionit kulturor” të Mao Ce Dunit, kur hordhitë e hunveibinëve (gardistëve të kuq) vërshonin në zyra dhe nxirrnin përdhunshëm prej andej zyrtarët e shënuar në rreth nga Mao me shokë. “Fillimet e reja” në shenjën e këtyre akteve të turpshme u kanë kushtuar shumë rëndë vendeve ku kanë ndodhur.
Në rastin e protestës së nesërme në selinë e PD-së, shprehja në fjalë ka kuptimin që mbështetësit e Berishës janë thirrur dhe nxitën të pushtojnë forcërisht zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe selinë në tërësi, duke nxjerrë prej andej po forcërisht kryetarin, sekretarin e Përgjithshëm, kryesinë pro Bashës që janë shumicë, deputetët pro Bashë që janë shumicë.
Një parti politike mund edhe të provonte ta bënte ketë, pa dhunë sigurisht, nëse fjala vjen grupi që pretendon se ka shumicën do të kishte në duar vendime transparente të pakontestueshme nga procesi i votimit apo vendime të formës së prerë nga Gjykata, që tregojnë se ai grup ka bërë një kuvend statusor të rregullt dhe një referendum statusor të rregullt, por zbatimi i këtyre vendime është refuzuar nga një pakicë që mban zyrat e selisë.
Asgjë e tillë. E vetmja “provë” e Berishës është të besojmë symbyllur çfarë ai raporton. Nuk ka ekzistuar ndonjë referendum në botë ku pala që e kërkon e organizon vetë brenda javës, harton vetë listat, shtyp vetë fletët e votimit, vetë votimin e numërimin, pa asnjë element sigurie besueshmërie, pa asnjë lloj vëzhgimi as të brendshëm, as të jashtëm.
Vendimet alla partizançe “në emër të popullit” nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë. Ne kemi një korpus ligjor që rregullon çështjet e votimit demokratik. Ky korpus reformohet e pasurohet pandërprerje; ne zhvillojmë zgjedhje me komisione dypartizane, trepartizane, me vëzhgim ndërkombëtar dhe të brendshëm, zgjedhje të hapura për mediat në çdo element të procesit. Gjithçka për vërtetësinë e asaj të flamosure votë. E përsëri nuk kemi zënë karar me zgjedhjet. E jo më një të ashtuquajtur referendum pa asnjë element sigurie, ku sekush e di për vete ka votuar apo jo, por askush nuk mund ta dijë për të tërë. Sepse “tërësia”, “anëtarësia”, nuk është një person i vetëm, por një shumësi personash që flet vetëm përmes përfaqësuesve të saj dhe procedurës demokratike. Gjithçka tjetër jashtë kësaj aksiome është imponim me forcë për marrjen e selisë me çmimin e poshtërimit të kryetarit të zgjedhur me parimin një anëtar një votë dhe forumeve që mbështesin në shumicë të qartë vendimet e tij. Beteja për selinë nuk është betejë për partinë. Kjo ka vlerë për të dyja palët në konflikt. Por askush nuk mund të pranojë të poshtërohet që të “nderohet” tjetri. Që për me tepër ka zgjedhur vetë të mos e kalojë në procedurë ligjore projektin e tij për prishjen e PD-së për ta rithemeluar si një parti që do të shpallej antimerikane nga SHBA sapo drejtimin e saj ta merrte një person i shpallur prej tyre non grata apo i deleguar nga non grata.
Qofsha i gabuar, por retorika e përdorur gjatë këtyre ditëve paralajmëron dhe ndjell ngjarje të renda në selinë e PD-së. Në sytë e mbarë vendit, në sytë e Policisë së Shtetit gjithashtu. Policia me siguri ka të dhëna konkrete rreth mundësisë ose jo që në vend të një protestë paqësore të shohim skena krimi. Policia ka për detyrë të ndërhyjë e të parandalojë skena të tilla. Pa pritur ta thërrasë kush apo dërgojë kush përveç atyre që e drejtojnë sipas ligjit. Edhe kur përplasen dy vëllezër, edhe ku një nënë dhunon fëmijën që ka lindur vetë, Policia nuk thotë “ s’kemi ç’bëjmë, e ka lindur vetë”, por ndërhyn. E jo më kur në arenën e ngjarjeve ndodhet një institucion, janë përfshirë njerëz të thjeshtë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Duhet të pravalojë gjakftohtësia dhe largpamësia. Nga të gjithë ne në radhë të parë nga Sali Berisha që ka thirrur turmën të bëjë përmbaruesin politik për hesapin e tij.