Omicron varianti më i fundit i zhvilluar nga Sars Cov 2 do të mbizotërojë në Europë dhe pritet që mesin e muajit Janar ai të arrijë kulmin e infektimeve. Në një intervistë për televizionin Klan, neurokirugu Kita Sallabanda thotë se 5 milionë të infektuar me Covid janë regjistruar javën e fundit në Europë dhe shifrat pritet të rriten ende.
“Europa ka pasur 5 milionë të infektuar në javën e fundit. Pas festave të fundvitit situata është renduar jo për arsye të prezencës së dy viruseve, të gripit dhe Omicron, por për arsye të përhapjes masive të Omicron që duket që në 1 javë do arrijë pikun dhe do fillojë të bjerë në mënyrë eksponenciale siç u rrit”.
Ndryshe nga një vit më parë, këtë dimër gripi dhe Covid po bashkëqarkullojnë. Ekspertët i kanë vënë emrin flurona, rasteve kur në një person është identifikuar Omicron dhe grip në të njëjtën kohë. Po sa i rrezikshëm është ky kombinim?
“Nuk është i shpeshtë, është një fenomen i rrallë. Zakonisht një virus predominon dhe shtyp virusin tjetër. Në këtë rast kemi një koekzistencë të dy viruseve. Janë gjetur disa raste në Izrael, dy raste janë gjetur në Spanjë dhe po fillon të përhapet në Europë. Karakteristikë e gripit është që shkakton bronkiolite, ndërsa Omicron nuk shkakton këto fenomene. Kjo ndoshta mund ta rëndojë situatën tek moshat e mëdha dhe njerëzit me sëmundje”.
Edhe mjekët në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen për rritje të vigjilencës nga qytetarët pasi gripi dhe Covid po qarkullojnë masivisht në vendin tonë. Në një postim në rrjete sociale, mjeku infeksionist Tritan Kalo apelon për respektim të masave, si maska, distancë dhe higjiena por veçanërisht kërkon vaksinim si mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga këto dy viruse.
/b.h