Nga Pëllumb Kulla
Nuk kisha patur rastin ta shoh filmin e Mamaqit deri mbrëmë në natën e parë të këtij Viti te Ri. Sinqerisht, u mrekullova. Kam qeshur me shpirt dhe ky cilësim është fort i rrallë nga njerëz si unë, që merren me humorin, dhe që janë, viktima të zanatit e vlerësimet i kanë deri me shfrime si “Bukur!”, “Oh fort e gjetur kjo!”, “Detaj i mrekullueshëm!” “E pa arritshme kjo!” – shprehje objektiviteti, por që më së shumti, shpëtojnë dhe i arratisen zilisë së fshehur profesionale.
Nga thellësitë e zemrës, edhepse me kaq vonesë të përligjur, përgëzoj artistin e mrekullueshëm, Ermal Mamaqin, që ka ideuar, hartuar, zgjedhur bashkëpunëtorët dhe frymëzuar gjithë gjindjen artistike në realizimin e kësaj vepre serioze në gjininë e komedisë.
Mund të rreshtoj njëqind arsye që e bëjnë ta dashurosh këtë arritje të mrekullueshme: tema e këndshme, sensi realist në zhytjen në ambientin rinor të kohës, përzgjedhja e artistëve, uniteti në stilin hiperbolik të lojës, ritmi i filmit, pasuria e madhe e detajeve artistike, kamera, aksesorët filmikë e të tjera.
Përshëndes bashkautorësinë në skenar të Ermalit me Besnik Mustafain, që edhepse me shumë vonesë po e tërheq fusha e humorit; prshëndes edhe mysafirin turk në regjizurë, si edhe dhe tërë bashkëpunimin jashtëshqiptar në këtë arritje serioze që na nderon.
Dua të vlerësoj të gjithë aktorët, pa i përmendur një e nga një dhe u kërkoj që të gjithë atyre ndjesën të veçoj tre nga ata, që më lanë përshtypje të jashtëzakonshme: rolin kryesor, Mamaqin që më sjell të gjallë dinamizmin e Bujar Kapexhiut të viteve 60-70; befasuesen gati të zbriturën nga qielli, Elvana Gjatën, një shkëlqim që nuk e prisja të na godiste deri në këtë shkallë; dhe shkaktarin e hidhërimit të patretur për largimin e tij nga kjo jetë, të pavlerësuarin kurrë në atë gradë që meritonte, Koço Devolen!
Ermal Mamaqin kam patur rast ta vlerësoj edhe më parë për fantazinë, për shkallën e lartë të ndjesisë humoristike dhe për larminë e tyre shprehëse brenda sekondës, për hapësirat e gjëra të komunikimit me artistë, sportistë dhe personazhet publikë, kurse “nusen” e tij, këngëtaren Elvana Gjata, dukej sikur ia kish zgjedhur vetë Zoti i Madh dhe i Plotfuqishëm, aq të përshtatur me partnerin, aq të latuar, aq të kompletuar! Me shpirt i uroj asaj zonjëze, një karrierë të gjatë dhe të shkëlqyer në botën e komedisë shqiptare.
Dhe e mbyll treshen me mikun tim të vjetër të bashkëpunimeve të shumta në atdhe dhe në truallin amerikan. Nuk e kam parë kurrë aq të frymëzuar Koçon, në një rol, siç ishte ky që i ofroi Mamaqi. Frymëzimi i tij e bënte që në këtë figurë të kapërcente dhe arritjet e tij më të mira, si ajo e “milionerit në pritje të pronave”, apo si ai te “Gjuetie fundit’ e të tjera suksese që formuan karatin e Devoles të paharrueshëm. Po e shihja filmin në mjedis familjar, në bashkësi me tetë vetë të tjerë dhe në lojën virtuoze të Koços që ndodhej në ujrat e veta më të mira në guaskën e atij ushtarakut pensionist, që sa herë gishtat i mblidheshin grusht, instiktivisht ai e ngrinte grushtin në ballë, Dhe rreth meje shpërthenin të qeshura.
Gjatë gjithë filmit të qeshurat e bujshme nuk rreshtnin, por sidomos ato ushtonin në skenat e babait të vajzës që trupëzonte Devolja. Më pak nga të gjithë qeshja pikërisht unë, ai admiruesi i tij më i madh dhe më i hershëm! Sa më e bukur të ish loja e Koços, sa më i bukur detaji, aq më shumë isha unë larg gajasjes, aq më shumë duhet të sforcohesha të përmbaja lotët për këtë humbje, për këtë ikje të parakohëshme, të këtij artisti origjinal me një formim tërësisht vetjak, deri në atë finesë të paarritshme…
Një artist për të cilin media, kritika, ministritë dhe presidencat folën aq pak.
Dhe unë nuk fola aq sa duhej. Dhe ky film ma bënte më therrës vetëfajësimin tim.
Më fal, i dashur Koço!
Urime të zjarrta për suksese të tjerë, i dashur Ermal!